BERAT- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka nisur prej ditësh një tur në të gjithë vendin duke iu bërë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të kësaj force t’i bashkohen në protestën e 27 janarit të thirrur nga opozita.
Sot ajo ka zhvilluar një takim me strukturat në Berat ku tha se shqiptarët duhet të zgjohen nga apatia. Nuk ka munguar një batutë për shprehjen e famshme të Presidentit Ilir Meta “me qetësi e dashuri”, pas deklaratave të Nasip Naços.
“Me Monikën e kemi këmbën në gaz për të protestuar, për të anatemuar këtë qeveri që çdo ditë bën vetëm skandale. Sot ne jemi që në datë 27 të jemi të gjithë. Do jemi të gjithë në Tiranë. Duke i dhënë fjalën nuk do iki nga ky podium pa dëgjuar një duartrokitje të fortë për Monika Kryemadhin”, tha Naço.
“Jo se unë nuk e kam më me qetësi dhe dashuri e kam me njerëzit që e duan Shqipërinë por nuk e kam me qetësi dhe dashuri për ata që duan ta shkatërrojnë këtë vend. Për ata që duan të largojnë rininë nga Shqipëria”, u përgjigj Kryemadhi.
“Sot më shumë se kurrë duhet t’i thërrasim mendjes. Ne kemi dy rrugë ose të largohen shqiptarët nga Shqipëria ose Edi Rama nga qeveria. Kostoja më e vogël është të largohet Edi Rama. Ky është shansi i vetëm që shqiptarët kanë për të shpëtuar nga kjo kapje e shtetit, nga krimi i organizuar. Do të doja të flisja për situatë ekonomike. “Sot më shumë se kurrë duhet të zgjohemi nga apatia sepse e ndiejmë të gjithë që jemi më të varfër. Nëse nënshtrohemi do jetë gjumi i vdekjes sepse të gjithë do të ikin nga Shqipëria”, tha Kryemadhi.
Ajo u shpreh më tej se “me sjelljen që po bën Edi Rama të jeni të bindur se shqiptarët do ta tërheqin zvarrë prej së gjalli”.
“Të gjithë se bashku në 27 janar në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”, jo vetëm ju por edhe familjarët tuaj, për të bërë një protestë paqësore por të qartë për t’i thënë Edi Ramës që kaq sa jemi me një frymë të rrëzojmë”, deklaroi Kryemadhi.
(BalkanWeb)