Ligji për masat shtesë të policisë apo siç është quajtur ndryshe ligji i kamerave të sigurisë ka marrë tashmë miratimin e Gjykatës Kushtetuese.

Tani çdo biznes i parashikuar në ligj është i detyruar që të bëjë instalimin e kamerave, në të kundërt do të gjobitet. Por shumë biznese, pa pritur vendimin e Kushtetueses instaluan kamerat duke i besuar aprirori hartuesve të ligjit se “qëllimi i vendosjes së kamerave me cilësi të lartë filmimi do të ndihmojë policinë dhe organet e tjera në zbardhjen e krimeve dhe rritjen e sigurisë në vend”.

Por ndërsa biznesi vendosi të “zbatojë” ligjin ende pa hyrë në fuqi, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për policinë e cila jo vetëm “mbyll sytë” përballë denoncimeve por duket se “fle gjumë” edhe sa i përket zbatimit të ligjit.

I tillë është edhe rasti i një kompanie biznesi në Tiranë, që ka denoncuar pranë redaksisë së “BalkanWeb” skandalin e moszbatimit të ligjit nga ana e Komisariatit të Policisë Nr.3 në kryeqytet.
hajduti22
Konkretisht në datën 7 qershor pranë këtij Komisariati, kjo kompani që ndodhet shumë pranë godinës së ZQRPP-së në Tiranë, ka denoncuar vjedhjen e një sasie kablli elektrik rreth 250 ml, që ndodhej në një ambient të përshtatur si magazinë në parkimin nëntokësor të një pallati.

Sipas informacionit që disponon “BalkanWeb”, lidhur me këtë ngjarje, administratori i kompanisë depozitoi pranë Komisariatit Nr.3 edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë, ku dalloheshin qartë fytyrat e hajdutëve.
hajduti 2
Referuar provave të siguruara, mësohet se policia arriti fillimisht të identifikonte autorët e vjedhjes (në foto), respektivisht shtetasit Shkëlqim Qerimi (i ndaluar tashmë) dhe Qemal Mustafa (i shpallur në kërkim). Ndërkohë që materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim” dhe “përvetësim i parave ose mallrave”.

Por vetëm kaq. Një muaj pas denoncimit të ngjarjes dhe duke u mjaftuar vetëm me identifikimin e autorëve, policia nuk ka bërë asnjë lëvizje tjetër, jo vetëm sa i përket mosndalimit të një prej dy hajdutëve të shpallur në kërkim, por edhe sa i përket faktit se ç’ka ndodhur dhe ku përfunduan 250 ml kabll elektrik i vjedhur.
hajduti 23
Interesimit të përditshëm të kompanisë së biznesit pranë Komisariatit Nr.3 në Tiranë nuk po i jepet përgjigje prej një muaji edhe pse provat e depozituara janë të mjaftueshme për organet ligjzbatuese. “A është kjo policia që duam?”, – është pyetja retorike që bën kompania e biznesit gjatë denoncimit të këtij skandali për “BalkanWeb”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb