TIRANE- Kreu i PDK, Nard Ndoka u shpreh pas takimit me ambasadoren e BE, të SHBA dhe OSBE-së se ky takim konsistonte në informimin për procesin e negociatave për zgjidhjen e krizës politike. Nard Ndoka tha se nuk mund të ketë zgjidhje pa opozitën, ndërsa Rama duhet të japë dorëheqjen në mënyrë që t’i hapë rrugë zgjedhjeve.

“Zgjedhje nuk ka pa opozitën, ne cekëm pak me ambasadorët edhe pjesën e vettingut, pasi edhe vettingu ka rënë në aspektin e mazhorancës. Këto nuk janë teka të PD, por janë standarde dhe PD i kërkon për të gjitha partitë. Ne gjithashtu shprehëm edhe gabimet që Rama ka bërë, pasi ka caktuar zgjedhje të pjesshme dhe nuk ka caktuar zgjidhje për krizën. E vetmja mënyrë e tij është dorëheqja që mos kalojmë në një krizë më të thellë”- tha Ndoka.

Ndër të tjera Ndoka u shpreh se kanë diskutar me ambasadorët edhe për votimin elektronik, ndërsa u shpreh se ambasadori i OSBE Boschardt është përgjegjës për krizën. Ndoka tha se po luhet teatër me zgjedhjen e presidentit të ri.

“I thashë ambasadorit të OSBE që ti je problemi kryesor pasi ishe ti që një vit më parë që the se për votimin elektronik nuk ka kohë, ndërkohë që tani thuhet se ka kohë. Nuk ka unifikim të qëndrimeve mes SHBA-së dhe BE-së. Kishte një draft në tryezë që fliste edhe për zgjedhjen e Presidentit megjithëse ky tani është fakt i kryer. Ambasadori Lu thoshte se Presidenti nuk është zgjedhur akoma. mendoj se po luhet teatër me politikën shqiptare, pasi pazari ishte mbyllur me kohë për presidentin”- tha Ndoka.

Ndoka tha se nuk pati kërkesë për tu futur në zgjedhje pavarësisht se ky ishte qëllimi i këtij takimi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: