NGA AURORA KOROMANI* TIRANE- Lëvizje të tjera në radhët e Policisë së Shtetit. Me urdhër të kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi, në radhët e uniformave blu janë bërë një sërë ndryshimesh. Burime për

“Gazeta Shqiptare” pohojnë se ndryshimet kanë prekur seksione dhe sektorë

të ndryshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, mësohet se në radhët e efektivëve të policisë priten ndryshime të tjera.

NDRYSHIMET

Nga burime pranë policisë mësohet se ndryshimet kanë prekur Drejtorinë e Forcave Operacionale, nga ku bëhet me dije se është larguar Alban Ahmeti, i cili ka kaluar shef sektorit te Mbrojtja e Dëshmitarëve. Po nga kjo drejtori ka ikur edhe ish-shefi i RENEA-s, Artan Kuka, i cili është transferuar si shef te Seksioni i Testimeve në Akademinë e Policisë. Ndërkohë, mësohet se komandanti i repartit 324 i Sigurisë dhe Ceremonialit, Ahmet Matoshi transferohet nga ky repart te sektori i sigurisë së Akademisë së Policisë. Por, ndryshimet dhe lëvizjet kanë prekur edhe sektorin e Ndërhyrjes së Shpejtë, ku pak kohë më parë nga ky sektor u transferuan edhe disa efektivë të tjerë. Mësohet se komandanti i Ndërhyrjes së Shpejtë, Arben Baro kalon specialist te Forcat Lëvizëse Operacionale. Ndërsa, Lorenc Shehu, nga sektori i Sigurisë së Akademisë së Policisë kalon komandant i FNSH-së. Të njëjtat burime shtojnë se transferimet kanë prekur edhe sektorin e rendit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kështu, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Pandi Sulla, i cili së fundmi mbante detyrën si specialist i rendit në Policinë e Shtetit është transferuar te reparti 324, te Siguria dhe Ceremoniali, ndërkohë që Saimir Goga nga shefi i seksionit të Testimeve në Akademinë e Policisë kalon specialist rendi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Mësohet se ditët në vijim priten ndryshime të tjera në radhët e uniformave blu, edhe pse kjo strukturë që nga ndryshimi i pushteteve është bërë pjesë e ndryshimeve dhe transferimeve të njëpasnjëshme.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: