POGRADEC– Muzeu Historik Kombëtar ka bërë ndryshime në Pavijonin e Lashtësisë, në Varrin Monumental të Selcës së Poshtme, Pogradec.

Lyerja e Pavijonit të Lashtësisë kishte të meta estetike, pasi nuk vendoste një harmoni midis saj dhe koleksioneve. Vitrina dedikuar Varrit Monumental të Selcës së Poshtme (Pogradec) u vesh me letër, si dhe u pasurua ndriçimi me qëllim nxjerrjen në pah të vlerave origjinale, të pëlqyera dhe të kërkuara nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Pavijoni i Lashtësisë është ndërtuar që në vitin 1981 dhe që prej asaj kohe nuk ishte bërë asnjë rikonstruksion i pjesshëm apo i përgjithshëm.

Në kodrat e fshatit të Selcës së Poshtme, Pogradec, janë zbuluar rrënojat e një qyteti ilir të shek. IV-III para Krishtit. Gjatë kësaj kohe, gdhenden në shkëmb varre monumentalë princërorë, me një arkitekturë të stilit jonik. Në këtë varr është gjetur një inventar i pasur me armë, enë bronzi e balte, zbukurime ari dhe një paftë prej argjendi me skenë mitologjike luftimi. Simbolet luftarake, si përkrenarja, mburoja, etj; dëshmojnë se i varrosuri ishte një prijës ose mbret ilir. Varret monumentale ilire, veçanërisht ato shkëmbore të Selcës janë shprehje e origjinalitetit të arkitekturës ilire.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb