GRAMSH- Dy mbështetës të një force politike janë kanosur në qytetin e Gramshit nga tre persona të ndryshëm, njëri përpara dyqanit të tij dhe tjetri në një lokal gjatë një takimi me anëtarët e forcës së tij politike. Policia e Gramshit ka nisur procedimin në gjendje të lirë për 4 personat që i kanosën.

Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori për procedim në gjëndje të lire në ngarkim të 3 shtetasve: B.B., 35 vjeç V.B., 31 vjeç M.H., 25 vjeç, të tre banues në Gramsh.

Ata, si përfaqësues të një subjekti politik në Gramsh, dyshohen të kenë kanosur shtetasin A.XH, 37 vjeç, banues në Gramsh, para dyqanit të tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Po ashtu u referuan materialet në Prokurori për procedim në gjendje të lire në ngarkim të shtetasit A.Q., 40 vjeç banues në Tiranë.

Ky shtetas, në një lokal në qytet dyshohet të ketë penguar dhe kanosur shtetasin E.Z., 26 vjeç, banues në Gramsh, anëtar i një subjekti politik në Gramsh, kur ky i fundit shkoi në lokal së bashku me anëtarët e forcës së tij politike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb