Fatos Baxhaku – Prisnim të gjenim një kasolle të rrënuar, por, përkundrazi gjejmë një godinë solide me shumë beton, krejt në anë të Shkumbinit. Jemi aq afër lumit saqë herë pas here, kur bisedat shuhen, shushurima e lumit vjen e hyn në këtë banesë të fortë. Jemi në Librazhd, atje ku prej kohësh vullnetarë, qytetarë, punonjës bashkiakë i janë përveshur betejës kundër varfërisë, harresës, sëmundjeve.

Rudina-me-dy-vajzat

E zonja e shtëpisë është, Rudina Braçe, është 34 vjet. Sikur ta ketë kuptuar përshtypjen tonë të parë ajo sikur justifikohet: “Këtë shtëpi na e gjeti bashkia e Librazhdit. Ata na paguan edhe gjashtë muaj qira. Por gjashtë muaj kaluakan shpejt dhe ne tani nuk e dimë se ku të fusim kokën. Për pak ditë do të na duhet të lirojmë shtëpinë. Këtu na janë gjetur të gjithë. Fqinjët, pronari i shtëpisë, shokët e fëmijëve, të gjithë janë treguar të mirë me ne, por kur nuk ke më se ç’të paguash, atëherë nuk mund t’i bëhesh barrë tjetrit”. Rudina çapitet me vështirësi. Një sëmundje e rëndë ka bërë që të çalojë që në fëmijërinë e saj të hershme. Ndërsa disa çamarrokë rrotullohen nëpër këmbët e saj, ajo nis të rrëfejë historinë e saj. “Unë jam nga Pogradeci. Nga ‘gjoli’ kam kujtimet më të bukura. Por fëmijëria kaloi shpejt, njësoj sikur të kisha parë një ëndërr. Unë vetë asnjëherë nuk kam qenë e aftë të bëj punë jashtë shtëpisë. Kështu që sigurisht rashë dakord të martohesha që në moshë të re me burrin që më gjeti shtëpia. Ky ishte nga Korça. Me të pata Klean, vajzën e madhe. Mirëpo ky kishte një zakon, si shumë të tjerë xhanëm, pinte shumë. Kjo edhe ia shkurtoi jetën. Vdiq shpejt. Kështu mbeta vetëm më Klean fare të vogël. Pastaj, si kaluan disa kohë…”. Këtu biseda ndërpritet vetëm për pak minuta. Në shtëpi ka hyrë një nga fqinjët e Rudinës. “Pastaj, herën e dytë”, vazhdon të flasë Rudina ngadalë derisa e ndërpret fqinja, më e saktë dhe me më pak emocione. “O zotëri, – thotë ajo duke folur me fjali të shkurtra, – puna është kështu: Rudinën pas vdekjes së burrit duhej ta martonin patjetër. E kush i merr përsipër dy gojë për t’u ushqyer në familjet e tyre. Kështu që nga Korça e martuan me një ‘të dorës’ së saj në Librazhd-Fshat. Burri i ri, ky që ka tani, është edhe ai i sëmurë. Mezi shikon dhe vuan nga tiroidet. Kështu i martojnë, sepse ndryshe do mbeten të dy pa gjë. Pra, një e çalë u martua me një që nuk shikon”.

Soba-objekti-më-i-shtrenjtë

Fëmijët e vegjël vazhdojnë të lozin hareshëm duke u rrotulluar mbi qilimin e dalë boje. “Me burrin e dytë bëra edhe katër fëmijë të tjerë. Tre vajza dhe më të voglin, Aleksin që është 3 vjeç e gjysmë. Për disa kohë jetuam në fshat. Atje është më e lehtë. Në fshat bën si bën dhe për bukë nuk mbetesh. Por ashtu erdhën punët më njerëzit e ‘atij’ dhe na u desh të zbrisnim në qytet. Këtu vërtet na janë gjendur, sidomos World Vizioni, Bashkia, fqinjët, por sa mund të jetojë kështu njeriu? E vetmja e ardhur është 200 lekë në ditë që merr im shoq që punon si çoban. E kush mund të paguajë më shumë për një çoban që nuk sheh?”.

Telashi më i madh ndër fëmijët është shpina e deformuar e vajzës së madhe, Kleas. Duket sheshit se vajza ka një hall të madh, trupi i saj anohet sapo bën disa hapa. Ka dhimbje, megjithatë, në fytyrën e saj mbetet gjithnjë e stampuar një buzëqeshje e gjerë. Këtu njohim Dorela Rrumbullakun, fizioterapiste, vullnetare nga World Vision. Dorela po bën disa ushtrime me Klean. “Ka një skoliozë të avancuar – thotë Dorela – këto ushtrime mund ta përmirësojnë disi gjendjen, por… Disa kohë më parë i patëm siguruar Kleas një jelek plastik që është i domosdoshëm në të tilla raste, sepse ia mban trupin drejt, por vajza tashmë është rritur dhe ka nevojë urgjente për një tjetër”. Dorelës dhe Kleas në dhomën ku bëhen ushtrimet i është shtuar edhe një vajzë tjetër. Eshtë një shoqe e shkollës, që është bërë merak përse Klea nuk kishte vajtur në shkollë. “Unë ndjek 17 fëmijë me probleme të ngjashme, – vazhdon Dorela, – por nuk mund të mjaftohem vetëm me fizioterapinë. Problemet janë të shumta, angazhimi i prindërve, punësimi i tyre, sjellja e shoqërisë ndaj këtyre grupeve në nevojë. Na duhet të merremi me të gjitha”.

Ndërsa Dorela vazhdon ushtrimet kemi njohur një vullnetare tjetër të WV. Mimoza Polisi është psikologe. Ajo po merret me fëmijën e parafundit të Rudinës. Zbulon se ajo ka problem në të folur. “Duhet të vijë logopedisti, – thotë dhe vazhdon, – për mua si psikologe puna shkon që nga dhënia e informacionet këtyre dhe për këto familje, të frekuentimi i shkollës, te eliminimi i rasteve të bulizmit, te puna e veçantë me këta fëmijë. Në këto raste është shumë e rëndësishme shkolla. Një figurë qendrore është ajo e mësuesit mbështetës, që merret vetëm me këto raste. Për fat të keq, kemi vetëm një të tillë në Qukës. Në shkollat e tjera ai mungon dhe kjo i vështirëson punët”.

Klea-gjatë-fizioterapisë

Një i moshuar me bastun shfaqet në derë dhe pamja e tij e nxit edhe më harenë e fëmijëve. Ky, “dajë” Sala, është një kushëri i Rudinës. Dajë Sala ka qenë kovaç, ndaj edhe merr një pension që e lejon të jetojë disi më mirë. “Kam punuar gjithë jetën, – thotë, – në një punë të vështirë, dimër e verë i përkulur mbi farkë, por njerëzit na respektonin. Pa punën tonë ato nuk do të kishin kazma, lopata, bela, sëpata, vegla që të nxirrnin bukën nga toka. Tani jam në pension. Shyqyr Zotit, pak djemtë e pak pensioni, për aq sa më duhet arrij të jetoj edhe këto ditë që më kanë mbetur”.

Ka ardhur çasti e kulmit të haresë. Dajë Sala nxjerr nga qesja nga një varfër të hollë dhe nga një kokërr portokall që përpihen aty për aty nga fëmijët. Në këndin tjetër të dhomës Dorela dhe Mimoza po mundohen të sqarojnë Rudinën se si duhet të mbushë letrat e ndihmës shëndetësore dhe sociale. Si nuk arrijnë gjë, atëherë lënë një takim për të nesërmen. Do trokasin bashkë me Rudinën nëpër zyra.

Pesë-fëmijët-e-familjes-Braçe

Dajë Sala na përcjell deri te shkallët. E dimë se gruaja e tij ka ndërruar jetë para disa vitesh. “Daje, të pyesim një herë në Tiranë se mos sajojmë ndonjë të re?”, e ngacmojmë. “Ju rregulloni veten, se unë mirë jam”, përgjigjet kovaçi gjysmë serioz e gjysmë me të qeshur. Pastaj si kemi zbritur disa shkallë, kujtohet: “Po e gjetët, jo shumë të re, se i mbusha të 75-at!”, ngre zërin ai. Kaq mjafton që të jehojë e qeshura në shtëpinë e çobanit të verbër. Disave askush dhe asgjë nuk mund t’ua vrasë të qeshurën. (Bashkëpunoi World Vision).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb