Nga Kastriot DERVISHI
“Organet e Sigurimit=organe kriminale” – ka shkruar Vaskë Koleci
Lexova jo shumë i çuditur një koment të z.Auron Tare si “replikë” të një postimi tim për strukturën e parë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, pararendësja e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. As më pak e as më shumë, z.Tare shfaqi emocionin, dashurinë e simpatinë e tij të thellë për shtetin e pushtetin komunist, si dhe në pozita vullnetare bëri avokatinë e krimeve të këtij regjimi. Nuk e di nëse ky qëndrim lidhet me “kushtrimin e të parëve”, me nostalgji apo gjëra të tjera të këtij lloji apo është bindje e krijuar prej kohësh nga z.Tare. Sido që të jetë e vërteta, z.Tare i tha publikut që komunizmi nuk ka pasur struktura kriminale dhe sa mirë do ishim në komunizëm sepse paska pasur idealistë, shërbim sekret që mendonte për vendin, e të tjera përcaktime që i kemi lexuar në revistën “Në shërbim të popullit” prej vitesh si dhe në mjetet e tjera agjitative të asaj kohe. Në këtë plan, mendimet e mia përplasen me ato të z.Tare në lidhje me atë që ka ndodhur në Shqipëri në vitet 1943-1944 dhe 1944-1990. Jo më kot, personaliteti botëror, Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993 deklaroi se populli shqiptar “kaloi një tragjedi vërtet tronditëse nën shtypjen komuniste”, duke vënë në dukje mohimin e të drejtave të tij që merrte formën e një “shtypjeje të tmerrshme”. Jo më kot, Papa deklaronte: “Ajo që ka ngjarë në Shqipëri, nuk është parë kurrë në historinë e njerëzimit”. Pikërisht të paparën komuniste të Shqipërisë, gjenocidin komunist, kanë objekt si studimet ashtu edhe publikimet e mia. Nëse nuk ia vlen fare të trajtoj shqetësimin estetik të z.Tare në lidhje me të pasmet e “komandantit legjendar” dhënë nëpërmjet fotove që ai vetë ka ruajtur në Arkivin e PPSH-së, pavarësisht se në asnjë rast nuk jam shprehur drejtpërdrejt për atë që thotë z.Tare, por te realiteti turistik në të cilin gjendet diktatori në kohën e luftës. Çështja e “përgojimit” të të pasmeve ka dalë në një proces të madh të viteve 1978-1980 dhe është deklaruar nga njerëz që e njihnin jetën e Enver Hoxhës. Ndërhyrja e z.Tare për të shpëtuar “nderin” e “komandantit legjendar” edhe nëpërmjet “rekomandimeve” duket e pavend dhe e pakuptimtë.

Në këtë koment, po përqendrohem në përcaktimin tim për Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit si “strukturë kriminale”. Në të vërtetë duhej të kisha shtuar edhe fjalën “terroriste”, për t’i dhënë kuptimin e duhur fjalisë. Postimi im i përmbahet përmasës që ka rrjeti social. Më shumë akoma, të thelluar, çdo gjë e gjeni te librat e mi, sepse analiza të gjata në rrjetin social nuk mund të bëhen. Kësisoj, qëllimi im kryesor në postim ishte njohja emërore e strukturës së Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, institucion që ka funksionuar nga dhjetori 1944 deri në prill 1946. Qysh në fillim z.Tare ngatërron Drejtorinë me Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Janë struktura të ndryshme, njëra shërbim sekret e tjera njësi operacionale, por në thelb janë kriminale që të dyja, vijuese të terrorizmit të Partisë Komuniste Shqiptare të mbjellë nga emisarët jugosllavë gjatë kohës së luftës e të vijuar me konsekuencë pas saj. Kujtoj se Sejfulla Malëshova në plenumin e 2-të të Beratit (23-27 nëntor 1944), deklaroi se “sektarizmi degjeneroi në terror dhe terrori u bë shumë herë krim”, duke vënë në dukje se “terrori zë vend të madh në punën tonë politike”. Nëse DMP sipas dëshirës së z.Tare nuk ka qenë strukturë kriminale, atëherë vetiu kjo do të thotë se nuk ka pasur kurrë diktaturë komuniste në Shqipëri. Asnjë pushtues nuk ka regjistruar të dhëna aq kriminale që kanë shënuar komunistët me qeverisjen e tyre të mbrapshtë kundër popullit shqiptar. Kanë thyer rekorde të tmerrshme krimesh. Sapo morën pushtetin, në dhjetor 1944 e ndanë Shqipërinë në tri zona pushtimi me qendra në Tiranë, Berat e Shkodër, duke i quajtur krahina ushtarake. Brenda tyre seksionet e mbrojtjes së popullit (në varësi të DMP-së), korparmatat e ushtrisë, divizionet e mbrojtjes së popullit dhe qarkoret e PKSH-së. Këto katër organe drejtuan gjenocidin ndaj elementit kundërshtar në këto forma:
-Vrasje
-Burgosje
-Internime
-Djegie shtëpiash
-Vjedhje pasurie
-Vjedhje florinjsh
-Largim nga banesa
-Ndryshim të strukturës sociale të qyteteve e fshatrave
Të gjitha proceset politike kaluan nëpërmjet Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit dhe organeve të varësisë së saj, duke përdorur vrasje dhe tortura nga më të rëndat. Në vend erdhi në pushtet një klasë inferiore (e përbërë nga bujq, blegtorë, zanatçinj etj.), e pashkolluar, që jo vetëm largoi nga pushteti gjithë elitën intelektuale të Shqipërisë, por e burgosi dhe masakroi atë. Rrallë gjenden shembuj në histori të një përmbysjeje kaq të madhe sociale në të cilën elementi i pashkollë e kriminal të jetë në pushtet dhe ai intelektual të jetë i gjithi në burg, në varre apo jashtë vendit. Kjo masakër e paparë vazhdoi e egër ndaj inteligjencies intensivisht deri në vitin 1951. Pas këtij viti, ndaj të paktëve që ngelën, vijoi me forma të tjera.

Vetëm në Qarkun e Shkodrës, sipas të dhënave të vetë regjimit, këto organe kriminale (në radhë të parë Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit), listuan menjëherë si armiq 14.700 persona. Vetëm nga “operacioni bllokues” në Shkodër midis datave 29 janar deri më 2 shkurt 1945, u krijua një klimë terrori, duke paraburgosur nëpunës, tregtarë, pronarë, punëtorë, studentë, por edhe bujq etj. Vetëm në Shkodër, deri në shkurt 1945 ishin arrestuar 3.070 persona. Një pjesë e madhe e tyre u liruan brenda vitit 1945, jo për humanizëm, porse regjimi nuk mund të menaxhonte një shumë kaq të madhe të burgosurish. Vetë shefi i krahinës së tretë të Mbrojtjes së Popullit, Zoi Themeli pranonte më 24.3.1945 se akuzat ndaj të arrestuarve ishin në shumicë “krejt të pabaza”, pasi me të tilla mund të akuzohej “krejt populli”. Ai rekomandonte që pushkatimet të bëheshin në grupe prej 18–19 vetash, në mënyrë të tregohej se ata (komunistët) nuk kishin frikë prej popullit.
Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit nga dhjetori 1944 e deri në shkurt 1945 arrestoi 4.500 kundërshtarë dhe 516 të tjerë si “strehues e furnizues kriminelësh”. Nga marsi 1945 e deri në shkurt 1946 kjo drejtori arrestoi edhe 601 persona të tjerë.
Me hapjen e kampeve të para tela me gjemba, kjo drejtori internoi 1.275 persona në kampin e Krujës (shumica fëmijë) dhe 900 në Berat (po ashtu shumica fëmijë).
Masakra të spikatura mbeten ato për të nënshtruar popullsinë antikomuniste si në zonën e Malësisë në Shkodër etj.
Komentin e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/08/22/ne-vend-te-nje-replike-me-auron-taren/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb