TIRANË- Është diskutuar shpesh për nënën e Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, Vojsavën.

Zakonisht në tezat sllaviste thuhej se ajo ishte serbe, por së fundmi edhe një gazetar e analist shqiptar e artikuloi këtë gjë duke deklaruar se Skënderbeu ishte më shumë i krishterë se sa shqiptar dhe se nënën e kishte sllave.

Por kundër tij kanë dalë shumë figura të njohura, mes tyre edhe Artan Shkreli, i cili nxjerr ‘blof’ Nanon duke dhënë argumente të forta për origjinën arbërore të Vojsava Tribaldi Kastriotit.

Artan Shkreli, arkitekt e studiues i historisë, sidomos i asaj të mesjetës, argumenton origjinën e saj të Muzakajt dhe të fisit ilir i Tribalëve.

Sipas Shkrelit, sa i takon tribalëve, fisit të lashtë ilir, ata vijojnë në Mesjetë të përmenden nga Stefan Bizantini ende si “ilirë” (shek VI e.s.); d.m.th pak para vendosjes së sllavëve në territoret e Ballkanit jug-perëndimor.

STATUSI I ARTAN SHKRELIT
Përpiqen të argumentojnë, e s’ia gjej dot arsyen e arsyes, por nuk mbërrijnë të nxjerrin askund se Vojsava Kastrioti ishte sllave (madje shkojnë deri aty sa në emër të neo-internacionalizmit ballkanik të deklarojnë se ishte serbe).

Jepen si argument emrat ortodokse (jo etnike: që mund t’i ketë kushdo serb, arbër, grek a bullgar) kundrejt atyre arbërore (etnike: si Ghin, Ghon, Deda, etj. që normal janë shumë të paktë) dhe luajnë pa kokëçarje me një marifet të tille fëmijëror.

Barleti nuk thotë askund e në asnjë rresht se Vojsava është sllave; thjesht është i pari që e zë n’gojë si të bijën e princit të Tribalëve… kaq.
Më pas është Gjon Muzaka i cili e përmend i pari me emër e mbiemër si Vojsava Tribalda e cila vinte nga një derë e fisme, por pa ndaluar në përkatësinë etnike të saj, sikurse dhe Barleti, pasi edhe për të nuk paraqiste ndonjë veçanti.

E ndërkaq, është po Muzaka që në “Kronikën” e tij, kur flet për Vrana Kontin, i cili kishte gjak Muzakajsh nga e ëma, e quan atë markez të Tribaldëve; të një gjindjeje pra minimalisht me përzierje të fortë arbërorësh.

E sikur kaq të mos mjaftonte, G. Von Hahn në “Studimet” e tij, në dijeni të shtesës gjenealogjike të Kostandin Muzakës, i mëshon faktit se Vojsava, bijë e fisnikut Monçini e zot i Pollogut, është me gjak nga të Muzakajve – gjë që mbështetet edhe nga Babingeri.

Historitë dhe historianët e mëpasshëm, nën frymën e ndihmës që u jepeshin popujve sllavë për shkëputje nga Perandoria Osmane, ushqyen idetë pansllaviste por pa filtrin e nevojshëm kritik, e ndofta pa dashje, në kurriz të një populli që ende nuk e konsideronte kush, kur dihet se zotërinjtë sllavë u zhdukën si kripa në ujë nga territoret arbërore pas vdekjes së S. Dushanit.

Në rrëmujën që pasoi, dinamika e Gropajve, Muzakajve, Aranitëve etj në atë zonë, është sot vështirësisht e ndjekshme, sikundër edhe ajo e vijimësisë aty të pushteteve të Brankoviçëve apo bujarëve bullgarë (fundi i shek. XIV).

Sa i takon tribalëve, fisit të lashtë ilir, pa u futur në hollësirat e periudhës greko-romake, ata vijojnë në Mesjetë të përmenden nga Stefan Bizantini ende si “ilirë” (shek VI e.s.); d.m.th pak para vendosjes së sllavëve në territoret e Ballkanit jug-perëndimor.

Si në shek. VI të Stefanit, në atë të XIV të Monçinit, dhe sot në shek XXI tonin, çka mbetet, është fakti se Pollogu, banuar vijimisht nga arbërorët, e herë nga përzierje arbano-sllave, u ka lënë trashëgim shqiptarëve kujtimin e një gruaje të hirshme: dibranen Vojsava Tribalda-Kastriotin. Nëse këtë e mëtojnë edhe sllavët (bullgarë, serbë e boshnjakë), për shkak të mungesës së burimeve absolute mbi etnicitetin e saj, janë të lirë ta bëjnë e ta ribëjnë, por nuk besoj se u duhet ndihma jonë për këtë.
P.S. – Sa i takon O. Schmidtit, dihet se ai nuk sjell asgjë origjinale, përveçse përsërit tezat e serbit B. Petrovski.
P.P.S. – në gravure, Vojsava shtatzënë me Gjergjin – nga J. Breu II, 1533, Gjermani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb