TIRANE-Pas deklaratave të forta dhe akuzave që kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, bëri në drejtim të ministres se re të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar kjo e fundit. Mbrëmjen e djeshme Blushi teksa ishte i ftuar në emisionin “Të paekspozurit” në ‘News24’, ai e cilësoi ministren e Shëndetësisë ‘një nëpunëse ordinere të bashkisë së Tiranës, që u bë ministre’.

Me anë të një statusi në faqen e saj të ‘Facebook’-ut, Manastriliu nuk hezitoi ta quajë Blushin “burrë gojëlëshuar”. Sipas saj kreu i LIBRA-s nuk ka vend në parlament për një zotëri të tillë që shan gratë si burrë i dehur.

REAGIMI I MANASTIRLIUT:
Dëgjova që z. Blushi më ka përgojuar dje në një ekran televiziv, duke përdorur fjalë rruge ndaj meje.
Jam e çuditur se nuk e njoh dhe nuk më njeh. Po me sa duket ata që e njohin dhe tregojnë çudira për këtë burrë gojëlëshuar, paskan shumë të drejtë. Sidoqoftë i them z. Blushi se ajo që kam dëgjuar prej tij për shëndetësinë, është shumë qesharake dhe për një njeri pa shkollë, jo më për një deputet.
Do ta vendosin qytetarët e Tiranës nëse do ketë më vend në Parlament, për këtë zotëri që shan gratë si burrë i dehur! Por nëse do ketë aq shumë njerëz që do gënjehen prej përrallave të tij, me shumë kënaqësi do t’ia tregoj nga foltorja e Parlamentit të ri se pse ai nuk ka asnjë bazë dijesh, për të folur për ato që merr përsipër të flasë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: