NGA: Enver Doçi
BULQIZË- Kambanat e alarmit të braktisjes dhe harresës bien prej më tepër se dy dekadash në fshatin Shtushaj, rreth 20 km larg qytetit të Bulqizës. Ky fshat është nën administrimin e njësisë Shupenzë, dikur një komunë. Prej vitesh gjithçka në këtë zonë flet për braktisjen. Dikur një fshat i vogël me 80 familje, sot ka mbetur thuajse i shkretë, me vetëm 20 të tilla. Braktisjen e dëshmojnë edhe rrënojat e shtëpive të lëna të vetmuara nga banorët, të cilët kanë zgjedhur të migrojnë kryesisht në periferitë e Durrësit dhe Tiranës, më afër drejtuesve të shtetit, duke shpresuar për më shumë vëmendje nga shteti e më shumë mundësi mbijetese. Të tjerë, kanë kaluar kufijtë e vendin, në kërkim të një jete më të mirë në emigracion.

Të moshuarit e vetmuar nuk janë të paktë. Të gjithë banorët vuajnë nga një plagë e madhe, ajo e varfërisë së tejskajshme, në një fshat ku të vetmet të ardhura janë ato të gjeneruara nga blegtoria dhe prerja e tregtimi i druve të zjarrit, kjo e fundit e ndaluar përmes moratoriumit të pyjeve. Banorët e këtushëm njihen si prodhues të rakisë së kumbullës, ndërsa vreshtat janë drejt tharjes pasi nuk ka ujë mjaftueshëm. Nëse i pyet se çfarë i shqetëson theksi vihet në vetëm një fjali: harresa nga shteti. Kryetari i fshatit Shtushaj, Zeqir Dumani, një nga banorët e vjetër rrëfen për ‘News24’ se ky është edhe shkaku i braktisjes së fshatit. Banorët e mbetur mbijetojnë në këtë zonë në kushte skandaloze, pa ujë të pijshëm dhe qendër shëndetësore. Edhe pse është një zonë me burime të shumta ujore, banorët vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, një paradoks që e vuajnë prej dekadash. Të harruar nga shteti, kanë gjetur vetë zgjidhje provizore duke vendosur tuba, e duke konsumuar ujë të pakontrolluar e pa asnjë lloj filtrimi.

Rruga me një gjatësi 5 km, e cila lidh 6 fshatra me aksin nacional Peshkopi-Tiranë kurrë nuk është asfaltuar. Banorët thonë se për të përshkuar me automjet këtë rrugë duhen rreth 2 orë, për shkak të gropave të shumta. Qendra shëndetësore e ndërtuar në periudhën e komunizmit brenda fshatit Shtushaj u mbyll vitet e fundit. E vetmja mundësi për marrjen e shërbimit mjekësor është qendra në njësinë administrative Shupenzë. Sipas banorëve, në raste emergjence rrezikohet përkeqësim i situatës për shkak të tronditjes, si pasojë e gjendjes së amortizuar të rrugës, por edhe distancës me qendrën shëndetësore apo spitalin e Bulqizës.

E megjithatë, premtimet për zgjidhjen e të gjithë problemeve të tyre kanë qenë të shumta. Të vetmet vizita që banorët nuk i harrojnë kurrë janë ato që kryhen nga subjekte të ndryshme politike një muaj para zgjedhjeve, parlamentare apo lokale, pas kësaj heshtje për disa vite të tjera, e sërish premtime. Kjo është ajo që ka ndodhur për rreth 26 vite në këtë fshat verior. Mes zhgënjimit disa vjeçar, banorët janë të vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet e këtij qershori. Ata akuzojnë politikën për përpjekje të vazhdueshme për blerjen e votës, ndërsa apelojnë shtetin të mos i detyrojë të emigrojnë.
Ata pak te rinj te cilët nuk kanë mundur të emigrojnë, enden në rrugët e fshatit. Në një zonë ku ende zbatohen zakonet e vjetra vajzat fejohen sapo përfundojnë klasën e 9-të.

Banorët rrëfejnë se nëse ky fshat do te kishte, rruge, ujë te pijshëm dhe për vaditje, ata do te riktheheshin ne vendlindje, aty ku ajri është i pastër e ushqimet janë bio.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb