TIRANË- Një intervistë ndryshe nga kornizat e të zakonshmeve, me rrëfime krejt të veçanta dhe gjëra që s’i kishit dëgjuar kurrë nga goja e një kryebashkiaku. Kështu mund ta cilësojmë intervistën e dhënë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për emisionin “Me Shukin” në RTV Dukagjini të Kosovës.

Veliaj ka ndarë disa sekrete të vogla, siç është një e dashur kosovare kur jetonte atje, deri tek provimi i hashashit. “Kam pasur motit, kur kam jetuar në Kosovë, në 1999-2000”, – thotë kryebashkiaku në minutën 25.50 të intervistës.

Gazetari e pyet Veliajn edhe për legalizimin e drogës dhe kryetari i bashkisë thotë se shoqëria dhe vendi nuk është gati për këtë hap. “A e ke provuar ndonjëherë barin”, e pyet Shuki duke e vënë dukshëm në vështirësi Veliajn.

“Unë e kam provu, s’jam shumë krenar për këtë. Por, kjo është një gjë që e ka bërë çdo adoleshent që është rritur në Tiranë”, thotë Veliaj. Kruan zërin dhe krijohet një farë pauze. Kryebashkiaku vazhdon: “Por besoj që është tjetër gjë, diçka që një adoleshent e provon për kuriozitet dhe është tjetër gjë diçka një qeveri që e promovon aktivisht. Unë mendoj që problemin do ta zgjidhte legalizimi në Itali, se kështu do të binte oferta. Nuk jam për legalizim në Shqipëri, se ne nuk menaxhojmë dot eksesin”.

Veliaj nuk e fshehu dëshirën për të marrë edhe një mandat të dytë si kryebashkiak i Tiranës për të vazhduar të punojë fuqishëm. “Unë kam edhe dy vjet mandat. Me ligjin e ri kryetari i Bashkisë mund të kandidojë deri në 3 mandate. Nëse populli ma jep pëlqimin, do të vazhdoja me kënaqësi ti shërbeja Tiranës”.

Duke folur për të drejtat e komunitetit “gay” në Tiranë, kryetari i bashkisë thotë se “ne kemi një nga qytetet më të hapura në rajon. Ne kemi një strehë për komunitetin, që unë e kam mbështetur që kur kam qenë ministër i Mirëqënies Sociale. Jam kundër diskriminimit e dhunës, mendoj që se ça bën secili në privatësinë e vet, është punë e vet”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: