Nga: Valentina Madani

Jorida Tabaku është drejt pritjes së ëmbël, por koha dhe energjitë nuk i kanë munguar edhe gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale. Ndjehet e lehtësuar, sepse sipas saj punon me një ekip të mrekullueshëm. Deputetja e PD-së është gjithnjë aktive sidomos në njësinë nr.8 ku është e angazhuar për zgjedhjet. Dhe ambiciet shkojnë më përtej kur bëhet fjalë për PD-në, të jetë partia fituese e 25 qershorit. Së bashku me një ekip të PD-së dhe me asistencën e ekspertëve të CDU-së gjermane të Kancelares Merkel, ajo ka qenë për dy vjet me radhë pjesë e grupit të punës për programin qeverisës të PD-së. Deputetja Jorida Tabaku shpjegon për “Gazeta Shqiptare” pikat kyçe të programit që nga taksa 9 %, ulja e TVSH 15%, rritja e punësimi e deri te reformat e tjera për të cilat shprehet se janë krejtësisht të realizueshme nesër në pushtet.

Tabaku ju kemi parë aktive si gjatë protestës 90 ditëshe të PD-së, por edhe tani që jemi në kohë fushate elektorale ndërkohë që jeni shtatzënë, në pritjen e ëmbël…

Në fakt, nuk kam dashur të flas për pritjen e ëmbël në publik, jam natyrë e rezervuar dhe familjare. Kam qenë aktive dhe do të jem derisa të kem mundësi, por ndonëse aktive në fushatë duhet të them se sot e ndjej veten të lehtësuar më shumë, sepse punoj me një ekip të mrekullueshëm njerëzish në degën 8 në Tiranë. Kam mbi 8 vjet që angazhohem në atë zonë duke ndarë me to edhe përditshmërinë, duke pasur takime të përjavshme me thuajse cilindo banor të lagjes. Kjo ka lehtësuar një pjesë të punës tani në kohën e fushatës, sepse as unë dhe as njerëzit e degës nuk janë të huaj për banorët. Sa i takon njerëzve të degës mund të them me bindje që më lehtësojnë punën dhe fushatën. Megjithëse këtë vit bashkë me mua janë dhe vajzat, të cilat më kanë dhënë energjinë, durimin dhe padyshim entuziazmin që vetëm fëmijët dhe lumturia që ato dhurojnë mund të ta nxjerrë më në pah.

Dhe ku e gjeni kohën dhe energjitë?
Kur bëhet fjalë për gjëra të bukura, koha e energjia gjenden!

Ku është përqendruar kryesisht fushata e PD dhe me çfarë synimi shkon opozita me 25 qershor?
PD-ja është forca më e madhe politike në vend dhe ajo hyn në këtë betejë elektorale për të qenë forcë e parë. Në katër vjet si opozitë kemi paraqitur alternativa qeverisëse në çdo fushë prandaj sot shkojmë të bindur se do t’ia arrijmë të jemi forcë e parë. Kjo bindje, megjithëse mund të duket se vjen nga euforizmi në të vërtetë vjen nga njohja dhe përbërja e shoqërisë shqiptare, shqetësimet e grumbulluara këto 4 vjet, të cilat i kemi vendosur në themelet e programit tonë qeveritar në një platformë gjithë përfshirëse. Bazat e kësaj platforme janë qeverisja e mirë përmes sundimit të ligjit, garantimit të pronës; përmirësimi i infrastrukturës ekonomike duke investuar në rrjete transporti, energjie, shërbimi dhe informacioni; fuqizim të kapitalit njerëzor përmes mbështetjes së arsimit, kualifikimeve si dhe rritje të konkurrueshmërinë duke mundësuar një sistem fiskal nxitës. Të katërt parimet e mësipërme jemi të bindur që mund të nxjerrin nga gjendja aktuale e mjerueshme një shoqëri, e cila mezi po arrin të përfundojë muajin dhe ku rrogat zhvlerësohen gjithnjë e më shumë nga një konsum i ulët. Sot e kësaj dite, shqiptarët konsumojnë më pak, shpenzojnë më shumë, kanë më pak besim tek shëndetësia dhe e shohin shtetin jo vetëm si një entitet që pengon lirinë e tyre por edhe që ndërhyn në kufizimin e saj. Pikërisht ne duam të zhbëjmë; këtë kulturë të shtetit në raport me qytetarin, duam t’i japim atij më shumë liri duke krijuar një shtet më të vogël, i cili të funksionojë si rregullator.

Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://www.gsh.al/2017/06/05/nga-pritja-e-embel-te-programi-i-pd-se-rrefehet-tabaku-ja-ku-i-gjej-energjite-do-jemi-force-e-pare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: