NGA OLA MITRE*
Procesi i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit është tejet i vonuar në raport me parashikimet e ligjit, ndërsa kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së vullnetit për ta çuar përpara”. Deklarata vjen nga kreu i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, i cili në këtë intervistë, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, me pezmatim konstaton se ‘ata që nuk e kanë këtë vullnet bëhen mekanizma bllokues’. Gjithashtu, Kola shton se Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit duhej të ishte krijuar para 5 muajsh, ndërsa parashikon se ai do të jetë tërësisht funksional në vitin 2017.
Z.Kola, prej më se 6 muajsh, ligji që rregullon hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka hyrë në fuqi. Në çfarë faze jemi për procesin e hapjes së dosjeve?
Unë me pezmatim konstatoj faktin që procesi është jashtë mase i vonuar. Duhej të kishte filluar tashmë! Ligji kështu thotë të paktën: Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit krijohet një muaj pas ardhjes në fuqi të ligjit. Ligji ka ardhur në fuqi këtu e gjashtë muaj para, që do të thotë se duhej të ishte krijuara Autoriteti këtu e pesë muaj para. Kështu e thotë ligji dhe unë jam jashtë mase i pezmatuar pse kjo nuk ka ndodhur, por për fat të keq në Shqipëri pak gjëra ndodhin ashtu siç përcaktohen në ligj.
Ndërkohë që jam i pezmatuar që Autoriteti nuk ka filluar punën, dua të jem i sinqertë që nuk jam shumë i surprizuar, e thënë kjo me një dozë ironie, që ndodhemi në këto kushte. Por gjithsesi është shumë domethënëse që kjo nismë u konkretizua me ligj. Gjykoj që herët a vonë do të fillojë, por janë disa procese burokratike, që duhej të ishin parashikuar më mirë. Si për shembull, marrja e certifikatës së pastërtisë së figurës për gjithë anëtarët e Autoritetit. Gjithsesi, mua nuk më interesojnë këto hallka administrative dhe burokratike: mua dhe gjithë komunitetit, e pse jo gjithë shqiptarëve, – pasi, sipas sondazheve që janë bërë nga institucionet prestigjioze, ka pasur një dhënie pëlqimi masive nga të gjithë shqiptarët për nisjen e këtij procesi, – na intereson që ai të fillojë sa më parë.
Ky proces ka ‘ngecur’ te vërtetimi i pastërtisë së figurës për kandidatët për anëtarë të Autoritetit?
Po, nga informacioni që unë kam, ende nuk është marrë për kandidatët që do zgjidhen me votim në Kuvend. Është një proces që zgjat rreth 8 javë dhe kam përshtypjen se jemi në fund të procesit, por ky për mua është element thellësisht administrativ. Interesi im për këtë është shumë i pakët. Interesi im madhor, duke qenë se jam në këtë institucion, është që ky proces të fillojë një orë e më parë.
Kush e jep këtë vërtetim?
E japin institucionet që verifikojnë nëse këta kandidatë kanë pasur të shkuar të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit dhe me një pjesë të caktuar, të asaj që quhet nomenklaturë e ish-regjimit komunist, pasi bëhet fjalë për pozicione të caktuara, që automatikisht përjashtohen. Pra kjo pjesë e ligjit ka lustracion të pastër e aktiv ligjor.
Cilat janë kandidaturat?
Unë mund të them me siguri cila është kandidatura që vjen nga komuniteti i të përndjekurve, që është Daut Gumeni. Po them me siguri dhe kandidaturën e qeverisë, që është Gentjana Sula, e cila pikësëpari ka një angazhim shumë të madh për këtë proces, jo si zëvendësministre e MMSR-së, por si aktiviste në këtë proces. Natyrisht që ka dhe kandidatura të tjera. Di që është Simon Miraka një nga kandidaturat, di që janë disa të tjerë, por këto u takojnë atyre që i propozojnë. Dihet që parlamenti propozon 2 kandidatë, qeveria 1, komuniteti ynë ka 1 dhe shoqëria civile ka 1.
Pas marrjes së vërtetimit të pastërtisë së figurës, si pasohet ky proces?
Kalohet në Kuvend për miratim. Nga ana e përzgjedhjes është me votim të thjeshtë, që do të thotë se mjafton që shumica e deputetëve të ngenë kartonin dhe kandidatura që fiton, konsiderohet si i zgjedhur.
Kush mendoni se e ka penguar krijimin e Autoritetit?
Unë nuk ka pse të mos jem i sinqertë me veten time e më pas i sinqertë me komunitetin që përfaqësoj e më pas me gjithë shqiptarët. Në Shqipëri nuk ka pasur as vullnet, as hapa konkretë për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Derisa nuk ka pasur vullnet, sigurisht, ata që nuk e kanë këtë vullnet bëhen mekanizma bllokues. Për këtë jam shumë i vetëdijshëm.
Keni emra konkretë?
Unë nuk jam për të bërë komente të natyrës së skupit mediatik apo politik, por një gjë është e sigurt, që ky proces është vënë në rrugën e duhur, sepse ligji është miratuar, por po kaq e sigurt është që asnjëherë nuk ka pasur një vullnet për ta bërë këtë proces, dhe kjo kuptohet qartazi: që nga momenti që ligji është miratuar ka kaluar shumë kohë dhe Autoriteti nuk është krijuar ende. Këto janë faktet.
Praktikisht, hapja e dosjeve do të fillojë gjatë 2016-ës?
Me shpresë them se vitin tjetër do të kemi pesëshen e Autoritetit të miratuar, dhe më pas janë të gjitha hallka procedurale për ta vënë këtë në punë, që nëse zbatohet ashtu sikurse e parashikon ligji brenda 1 muaji që nga momenti që Autoriteti krijohet, të ketë rregulloren e tij, që është shumë e rëndësishme, pasi do të përcaktojë të gjitha hallkat administrative dhe procedurale të marrjes së dosjeve, dhe më pas, brenda një periudhe 6-mujore, automatikisht i gjithë dokumentacioni që disponohet, i çdo lloj institucioni qoftë, do i vihet në dispozicion Autoritetit. Nëse të gjitha gjërat shkojnë ashtu siç duhet, unë parashikoj që viti 2017 do jetë një vit pune intensiv për Autoritetin.
Pra përgjatë vitit 2016 s’duhet të presim hapje dosjesh…
Jo, do presim hapje dosjesh, por kam përshtypjen që 2016-ta ka për ta gjetur Autoritetin në formatim e sipër, në drejtim të strukturës dhe në kuptimin e dokumentacionit, ndërsa 2017-ta do ta gjejë 100% në punë, në kuptimin e dhënies së informacionit.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)