TIRANE– Avokati Spartak Ngjela ka analizuar sot situatën politike në vend, pas marrëveshjes së lidhur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ku kjo e fundit la më pas protestën për t’u futur në zgjedhjet e 25 qershorit.

Me anë të një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut i cilësoi 6 ministrat e zgjedhur nga kreu i PD-së Basha, injorantë dhe fanatikë të Berishës.

MESAZHI I NGJELËS
Janë të trembura te dyja palët dhe duan që me ujdinë mes tyre, t’i shpëtojnë ndëshkimit…
Kështu më shkruajnë shumë individë që i ka mërzitur marrëveshja për krijimin e një qeverie të përbashkët PS-PD
Deri diku kanë të drejtë, Sepse Rama nuk i refuzoi asnjë propozim Bashës edhe pse fjala ishte për njerëz jashtë politikës: propozimet ishin fanatikë injorantë të Saliut.
Ky është shqetësimi i njerëzve….
Por si është e vërteta:
l.
Nuk duhet të ketë shqetësim. Reformën nuk e ndalon dot askush – qoftë ky dhe kryeministër, e jo më ministër teknik.
Që ta provojmë këtë duhet t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve:
Kush rrezikohet nga klasa politike e korruptuar, të gjithë apo disa?
Rrezikohen që të gjithë sepse kanë përfituar vlera materiale duke qenë vetë të pakontrolluar. Realisht këta nuk e kanë ditur se mund të vinte një ditë si kjo kur interesi amerikan dhe gjerman, interesi i të gjithë Perëndimit do të ishte i përqendruar në krijimin e një shteti shqiptar institucional, të drejtë dhe pa korrupsion.
Përderisa rrezikohen të dy krahët e politikës, bashkimi i tyre i fshehtë, a mund ta bllokojë realizimin e Reformës?
Jo, fare! Nuk i bën dot asgjë. Politika amerikane, pasi ka miratuar kushtetutën e re shqiptare, e ka gjetur metodën e vet: me kërcënim direkt për denoncimin botërisht të të gjitha aferave korruptive që ka bërë hierarkia e lartë shtetërore e korrupsionit shqiptar.
Po ku e kemi parë më qartë metodën shtrënguese me fakte kundër hierarkisë së lartë shtetërorë të korrupsionit shqiptar?
Ishte Hoyt Brian Yee, zyrtar i lartë politik i Departamentit të Shtetit Amerikën i cili e vuri në zbatim metodën e trysnisë së publikimit të krimeve të hierarkisë politike aktuale në Tiranë. Në fakt, ishte kjo metodë që i futi palët e korruptuara kokëulur në votimin e vetingut.
Por, sipas kësaj i bie që këta hierarkë të lartë të korrupsionit shqiptar të votojnë ndëshkimin e tyre – a nuk duket si absurde kjo?
Jo, nuk është absurde, sepse interesi individual vepron me zgjedhjen midis dy të këqijave: ai është i detyruar të zgjedhë të keqen më të vogël midis dy të këqijave. Votimi i ndëshkimit, në këtë rast, është e keqe më e vogël nga ajo që i paraqet politika amerikane me trysni: njëlloj si rasti i fundit i përdorur nga Brian Yee.

Sipas kësaj duket se, edhe institucionalizimi demokratik i Shqipërisë, edhe ndëshkimi i korrupsionit është një gjë e sigurt: apo Jo? A është gjë e sigurt?
Po, kjo tani është një gjë e sigurt. Nuk ka asnjë dyshim më. Është raporti midis të keqes më të vogël në rastin e dy të këqijave. Si mendoni ju: hierarkia e lartë e korrupsionit shtetëror shqiptar, do të zgjedhë të keqen më të madhe midis dy të këqijave?
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: