Skënderbeu arrin të marrë një rezultat historik në Kazakistan duke barazuar 1-1 me Kairat Almatin, ekipin supermilioner që nisi takimin si favorit për të kaluar në turin tjetër. Goli i Nimagës ka qenë ai që u dha korçarëve barazimin që do të thotë shumë, madje më shumë nga sa flet ky rezultat.

Natyrisht që goli në transfertë ishte një arritje e madhe për Skënderbeun, por mbi të gjitha ka qenë një revansh i fituar nga Bakari Nimaga. Njeriu që i mohoi Skënderbeut grupet në atë sezon të Europa Ligës, kur humbi 11 metërshin deciziv ndaj Çernomorets Odesa në ndeshjen e fazës “play off” në gusht të vitit 2013, tashmë shënon golin e rëndësishëm në këtë takim.

I kontaktuar nga “Panorama Sport” Nimaga thuajse në lot e ka pasur mjaft të vështirë prononcimin, por gjithsesi ka mundur të thotë dy fjalë.

NDJESIA

Futbollisti i korçarëve shprehet se tashmë ndihet i lehtësuar me golin e realizuar në këtë ndeshje që mund ta shfajësojë për 11-metërshin e humbur vite më parë.

“Jam shumë i lumtur, gjithçka ia dedikoj Zotit që më dha forcën për të përmbysur atë moment të vështirë. Më kanë ndihmuar shumë edhe klubi dhe shokët e ekipit. Besoj që ishte një revansh që e meritoja. Ai 11-metërsh i humbur për mua ishte kthyer në makth dhe sigurisht që e vuaja çdo natë, por tani ndjehem i lehtësuar”, është shprehur fillimisht mesfushori.

NDESHJA

Korçarët pësuan gol që në goditjen e parë të kundërshtarëve, por nuk u dorëzuan dhe zhvilluan një ndeshje mjaft pozitive, të cilën ia dolën që ta mbyllnin me rezultat pozitiv.

“Kemi marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje dhe kjo është mjaft e rëndësishme për ndeshjen e kthimit, por asgjë nuk ka mbaruar. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të ruajmë këtë lojë të zhvilluar sot (dje) edhe në 90 minutat e kthimit. Jam shumë i lumtur për veten dhe për gjithë ekipin. Ky grup meriton të shkojë larg për forcën e karakterit që ka. Kemi bërë një pjesë të parë të këtij turi mjaft të mirë dhe kemi mundur të marrim një rezultat shumë pozitiv”, ka vijuar Nimaga.

KUALIFIKIMI

Futbollisti i Skënderbeut ka besim te mbështetja e tifozërisë, e cila do të bëjë korçarët që të sigurojnë rezultatin e duhur për të kaluar më tej në fazën tjetër.

“Tashmë na pret një tjetër takim në Korçë, ku duhet të tregojmë më të mirën tonë. Do të kemi tifozërinë në krah dhe jam i bindur që do të bëjmë një tjetër ndeshje të madhe. Me mbështetjen e Zotit jam besimplotë se do të kalojmë në turin tjetër. Dua të falënderoj edhe një herë të gjithë. Meritat janë të shokëve të ekipit, stafit teknik dhe klubit”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën Bakari Nimaga, mesfushori malien i Skënderbeut menjëherë pas takimin me Kairat Almatin./panoramasport

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: