Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Nis ndërtimi i rrugës “Dalip Topi”, Veliaj: Tiranën e kemi çuar në drejtimin e duhur

TIRANË- Bashkia e Tiranës nisi sot ndërtimin e rrugës “Dalip Topi”, në zonën e Kodrës së Priftit në Njësinë Nr. 3, e cila i vjen në ndihmë një komuniteti të madh, i vendosur aty kryesisht pas viteve ‘90. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve të rrugës dhe siguroi qytetarët se gjatë këtij viti, institucioni që ai drejton do të ketë si prioritet kryerjen e investimeve kapilare në çdo lagje.

“Bashkia e Tiranës ka një moto: Çdo ditë nga një punë konkrete. Puna konkrete për ditën e sotme është rruga “Dalip Topi”, e cila në fakt është një rrugë kufitare midis dy njësive të vjetra, Njësisë 3 dhe Dajtit, sot janë të dyja pjesë e Tiranës së madhe. Tirana është shtëpia e të gjithëve, do të thotë që është edhe shtëpia e tropojanëve, edhe e korçarëve, por edhe e tiranasve autoktonë. Do të thotë që me këtë shumëllojshmëri popullsie që në lagjet ku jetojmë, ajo që na bën bashkë është rregulli, rregullat komunitare, rregullat urbanistike dhe hapësirat publike që duhet t’i ndajmë me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se ka marrë fund koha e ndërtimeve pa rregulla dhe se tashmë është detyrë e Bashkisë që të urbanizojë këto zona.

“Nga ky moment nuk ka më improvizime të tipit, secili murin e vet, secili kanalin e vet të ujërave bardha, të ujërave të zeza, secili një gropë septike apo një pusetë të shpikur aty për aty. Sot të gjitha bëhen me një standard dhe parimi është që, pasi ke ardhur në Tiranë, do të luash me rregullat e qytetit. Është ekzaktësisht ajo që po bëjmë këtu në rrugën ‘Dalip Topi’”, u shpreh Veliaj, duke theksuar se investimet e realizuara nga bashkia në një vit janë 11 herë më të mëdha se sa katër vitet e mëparshme.

“Do të thotë që në një vit kemi ecur disa herë më shpejt krahasuar me ç’kemi pasur, por e mira s’ka fund, ndaj besoj se të gjithë qytetarët e kanë të qartë se po të vazhdojmë me këtë ritëm, çdo ditë nga një punë konkrete, është vetëm çështje ditësh sa të jemi edhe te një lagje tjetër që mezi po pret të vijnë investimet e baskisë”, tha ai. Veliaj siguroi qytetarët se puna nuk do të ndalet as në muajt e verës në kryeqytet, ku fokusi i punës së ashkisë do të jetë përmirësimi i infrastrukturës dhe ofrimi i shërbimeve cilësore.

“Dua t’i garantoj qytetarët, se pavarësisht se qyteti, ashtu si e gjithë Shqipëria, do të hyjë në fushatë zgjedhore, kjo nuk do ndikojë aspak në punën e Bashkisë së Tiranës. Siç kemi punuar çdo ditë me një punë konkrete, kështu do të vazhdojmë gjatë gjithë kësaj periudhe, teksa përgatisim kopshtet, çerdhet, shkollat për fillimin e vitit të ri akademik. Jemi të fokusuar te puna dhe besoj se Tiranën e kemi çuar në drejtimin e duhur dhe do të mbajmë këtë ritëm”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Duke siguruar ruajtjen e të njëjtit ritëm në investimet e kryeqytetit, Veliaj deklaroi se cilësia e tyre do të jetë e njëjtë si në qendër, ashtu dhe në zonat rurale. “Në javët në vijim do të hapim sheshin “Skënderbej”, Bulevardin e Ri, do të vazhdojmë me investimet madhore, por besoj se përtej sheshit, bulevardit, pazarit, stadiumit, qytetarët kanë nevojë edhe për ato që janë kapilarët e jetës në komunitet, që janë këto rrugë dhe këto ndërhyrje në lagje, për të bërë diferencën se nuk ka rëndësi nëse je në këtë anë të Tiranës urbane po në anë tjetër, rurale. Të gjithë meritojnë të njëjtin standard nga periferia deri në qendër”, u shpreh Veliaj.

Në rrugën “Dalip Topi” Bashkia e Tiranës parashikon sistemimin e ujërave të zeza e të bardha dhe ndërtimin e mureve mbajtës. Përveç asfaltimit është projektuar edhe pajisja e rrugës me ndriçim e sinjalistikë, si dhe gjelbërimi i saj.

(m.k/BalkanWeb)



Komente ( 2 )

  • Rrugen ne fjale e ka privatizuar ish presiidenti Topi me dere hekuri duke bllokuar ne menyre uzurpimi dhe jashte cdo logjike qytetare e ligjore kalimin e njerezve dhe mjeteve.Banoret para disa vitesh jane ankuar dhe policia ndertimore e ka prishur gardhin presidencial,por administrata e re jo vetem se prish por me taksat e qytetareve vazhdon te harxhoje pare. Zoti
    Velia hiqe ate gardh qe mundon qytetaret prej disa vitesh te bejne 7 km rruge, ne vend te 100 m per te shkuar tek shpia e tyre.

  • Edhe rruga bamir topi ju ka ngel per te mbaruar dhe tirana behet kryeqyteti me i bukur i europes. Me kaq foto qe ben erjon veliaj ne dite sikur po ben pune! kur te mbaroj mandatin e kryetarit te bashkise do hapi nje ekspozite me fotot e veta, dhe foto marubit ne shkoder do ja kaloj, ato fotot me lopate duke mbjell peme i ka shume te bukura te gjitha pemet ne tirane ky i ka mbjell me doren e vet. Mos harro tna nxjerresh ato fotot e vjetra duke shit fiq aty ku bone miljona euro.

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.