PRISHTINE– Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani deklaruan të enjten se ardhmja e dy vendeve është Evropa dhe për këtë do të punojmë maksimalisht.

“Procesi i integrimit do të vijojë pasi nuk është zgjedhje e politikanëve, por e qytetarëve. Nuk kemi alternativë tjetër”, ka thënë Nishani.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Presidenti Thaçi theksoi se “faktori i brendshëm duhet ta ndihmojë dhe përshpejtojë procesin e integrimeve si të Kosovës dhe Shqipërisë, që të kemi sa më tepër politikë të konsoliduar, insitucione të konsoliduara dhe efektive”.

“Kosova është në prag të liberalizimit të vizave. Kosova ka përmbyllur me sukses dhe me vlerësim shumë të lartë nga BE implementimin e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave”, nënvizoi Thaçi.

Ndërsa presidenti Nishani tha se “ky proces ka rrugëtimin dhe sfidat e tij. Zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri janë zhvillime në kuadër të kontestit politik. Unë kam ndërmarrë dhe do të vazhdoj ta bëj deri në ditën e fundit përpjekjet e mia për të ridimensionuar rëndësinë e kompromisit në adresim të çështjeve madhore siç janë çështjet e ndërtimti të shtetit, funksionimit të institucioneve, të demokracisë. Të gjitha këto janë në kuadër të një procesi, atij të integrimit në BE, pasi ne nuk kemi alternativë tjetër. Situata aktuale politike në Shqipëri nuk është se e ndIhmom përshpejtimin e procesit, por unë jam i bindur se nuk do ta ndalojë këtë proces, pasi integrimi është përcaktim i shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarëve dhe jo politikanëve”, tha Nishani.

Gjatë takimit Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u nderua me “Urdhrin e lirisë”. Titulli i lartë iu dorëzua Nishanit nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit që zhvilluan në presidencën kosovare.

“I nderuar President Nishani, duke vlerësuar lart punën tuaj për angazhimin tuaj për njohje të reja për Kosovën, për anëtarësimin në organizata të huaja, më lejoni që në emër të institucionit të ndaj për ju “Urdhrin e Lirisë”, deklaroi Thaçi.

Presidenti Nishani pas marrjes së titullit theksoi se “për mua është emocion të marr medaljen e lirisë në Kosovë dhe nga presidenti i Kosovës. Askush më shumë se sa Kosova nuk ka kontribuar e sakrifikuar për ta fituar këtë liri”.

“Do të vijoj përpjekjet në mbështetje të lirisë së Kosovës. Liria është dimensioni më i pazëvendësueshëm për një komb”, theksoi Nishani.

Nishani u prit paraditen e sotme në Prishtinë me një ceremoni zyrtare në sheshin “Ibrahim Rugova” , në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Kosovë. Ai do të takohet me autoritete më të larta të vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb