GJIROKASTER- Presidenti Bujar Nishani duket i prerë kur pyetet për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Teksa ka përcjellë mesazhin e urimit për Pashkët nga Gjirokastra, Kreu i Shtetit ka komentuar edhe situatën politike në vend.

Nishani thotë se tashmë data e zgjedhjeve është dekretuar, dhe ajo është 18 qershor.

Por pas kësaj, Presidenti Nishani ua kalon topin krerëve të partive politike në vend, duke u shprehur se tashmë u takon atyre të gjejnë zgjidhjen për ngërçin politik në vend.

“Shpresoj që kjo ditë të ndihmojë dhe politikën. Jam optimist se politikanët do të gjejnë zgjidhjen. Datën e zgjedhjeve e kam dekretuar”, u shpreh Presidenti Nishani.

Këto deklarata Presidenti Nishani i ka bërë nga Derviciani, ku mori pjesë në meshën tradicionale të Pashkëve.

Nishani u prit në Dervician nga kreu i bashkisë së Dropullit, Arqile Deçka, autoritete dhe qindra banorë që kanë mbërritur për të festuar Pashkët.

Në një ceremoni që pasoi festimet tradicionale Nishani dekoroi me urdhrin “Mjeshtër i Madh”, Ansamblin e Dropullit me motivacionin për “Ruajtjen dhe zhvillimin e traditës etnokulturore të kësaj zone”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb