TIRANE– Data 16 maj i vitit 1962 është dhe do të mbetet një nga data më të shënuara në historinë e Radio Televizionit Shqiptar, pasi ajo lidhet me krijimin e formacionit orkestral më të madh të kohës, Orkestrën Simfonike të Radios dhe Kinematografisë siç quhej në atë kohë, dhe Orkestrës Simfonike të RTSH siç njihet sot.

Koncerti i parë u realizua më 20 gusht të po atij viti nën dirigjimin e Mustafa Krantjes dhe u luajtën vepra të Haydn, Mendelssohn dhe Mozart.

Në këtë përvjetor të 55 të krijimit të Orkestrës Simfonike, Presidenti Bujar Nishani e vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit”.

Në aktivitetin e organizuar mbrëmjen e të enjtes në ambientet e RTSH-së, drejtuesi i këtij institucioni Thoma Gëllçi u shpreh se krijimi i saj shënoi një epokë të re në zhvillimin kulturor dhe artistik në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Gëllçi kujtoi instrumentistët e parë të cilët i dhanë jetë kësaj orkestre.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit”, Ferdinand Dedën (pas vdekjes), “Për kontributin shquar shumëvjeçar artistik si dirigjenti i mirënjohur i Orkestrës Simfonike, brenda dhe jashtë vendit. Kompozitor virtuoz dhe i vlerësuar nga mbarë publiku shqiptar në shumë zhanre muzikore dhe si interpretues i paharruar dhe fitues i shumë festivaleve të këngës së lehtë shqiptare”.

Presidenti Nishani ka vlerësuar me dekoratën “Nderi i Kombit” dirigjentin Eno Koço për “Kontributin e tij të paçmueshëm shumëvjeçar artistik si dirigjent i disa orkestrave brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe në vlerësim të merituar shtetëror për punën e palodhur studimore dhe hulumtuese në fushën e muzikologjisë dhe historisë së artit muzikor duke ngritur lart në vite, vlerat e muzikës shqiptare në sfondin e muzikës botërore”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb