Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE- Erdhi vetëm për një vizitë 11 ditore për të parë bukuritë e Parkut Kombëtar të Valbonës, por vendosi të qëndrojë gjithë jetën. Catherine Bohne, mbërriti në Shqipëri për herë të parë në korrik të 2009, por sot pas 7 vitesh, ajo është një ndër zërat më të fortë në mbrojtje të Parkut Kombëtar të Valbonës. “Pasi kam parë këto bukuri të Luginës së Valbonës, u magjepsa. Kjo është Parajsa, kam thënë kur e kam parë për herë të parë, në korrik të 2009 dhe sërish sot pas 7- vitesh, them se kjo është Parajsa e Shqipërisë edhe e Evropës ndaj duhet luftuar për të. Bashkëshorti im dhe unë, por edhe gjithë komuniteti këtu në Valbonë po luftojmë për të mbrojtur Parkun nga 14 HEC-et që janë parashikuar të ndërtohen. 9 prej të cilave janë parashikuar të ndërtohen në territorin e zonës së mbrojtur të Parkut”,-tha Catherine Bohne për “GSH”. Sipas saj, komuniteti i Valbonës ka zhvilluar protesta kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Lumin e Valbonës, por nga na tjetër po ndjek hap pas hapi edhe procedurat ligjore për të frenuar këtë masakër. Shoqata që drejton bashkëshorti i saj, Alfred Selimaj i ka dërguar një kërkesë zyrtare edhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për ndalimin e të gjitha punimeve, në pritje të një shqyrtimi të dokumentacioneve për të gjitha licencat e ndërtimit në luginë, dhe një rivlerësim kombëtar përsa i përket çështjes së ndërtimit të HEC-eve në zona të mbrojtura. Ndërtime të tilla bien ndesh me kritikat e drejtpërdrejta të shprehura nga BE-ja në raportin e 2015, por kjo gjë u rikonfirmua me tone edhe më të ashpra në Rezolutën e miratuar dje nga Parlamenti Europian. Ku i kërkon qeverisë shqiptare të shikojë me prioritet zonat e mbrojtura dhe të kontrollojë hidrocentralet që janë parashikuar të ndërtohen në territorin e tyre.
Amerikania e Valbonës
Catherine Bohne, të gjithë e njohin si ‘amerikania e Valbonës’. Ajo ka ndarë me ‘GSH’ historinë se si ka ardhur në Valbonë dhe ka njohur bashkëshortin e saj Alfred, krejt rastësisht. “Kisha lexuar shumë gjëra për Luginën e Valbonës. Dhe pjesa kryesore ishte shkruar nga një person me emrin Alfred Selimaj, të cilin nuk e njihja, nuk kisha asnjë kontakt me të. ‘Si do shkosh në një vend të panjohur më thoshte një shoqe, unë me të qeshur i thoja do gjej këtë Alfred dhe do më tregojë vendin, 11 ditë ikin shpejt”,-tregon Catherine. Dhe pikërisht në tragetin ku po udhëtonte drejt Luginës së Valbonës njohu Alfred Selimaj, i cili më pas u bë dhe bashkëshorti i saj. Më pas ajo vendosi të braktisë New York-un, punën e saj dhe prej 2009 jeton në Tropojë, në Luginën e Valbonës. Prej 4 vitesh, Catherin është edhe mësuese e gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Mushak Haxhia”. “Punoj me fëmijët në shkollë prej 4 vitesh, është e rëndësishme të njohin gjuhën e huaj, të dinë më shumë për zonën ku jetojnë dhe normalisht nëse komuniteti forcohet, atëherë ne të bashkuar mund të luftojmë edhe ndaj vendimeve të gabuara që janë dhënë për HEC-et në Valbonë”,-sqaron, Catherine Bohne.
Situata
Banorët e Pakut Kombëtar të Valbonës janë gjetur para faktit të kryer sa i përket lejeve të Hec-eve në Park. Pasi me komunitetin nuk është zhvilluar asnjë dëgjesë publike. Edhe në VNM, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedise, mbi të cilat kompanitë kanë fituar lejet mjedisore, rezulton se ata kanë bërë takime me grupe prej 12-20 vetash, ku në firmat e banorëve rezultojnë edhe persona të vdekur. “Në 2011 ne kemi ngritur një shoqatë. Nisëm bashkëpunimin me UNDP, me Ministrinë e Mjedisit për të bërë zonimin e parkut, në mënyrë që biznesi i turizmit të forcohet. Por pa natyrë nuk ka as turizëm. Vizitorët vinë për natyrën e bukur dhe të paprekur, nëse ndërtohen HEC-et, do ketë impakt shumë të madh në ekosistemin e parkut. Në luginë u janë dhënë leje për të ndërtuar hidrocentrale tre kompanive në Valbonë, Dragobi dhe Çeremit, ndërsa numri i HEC-eve është 14. Këtu janë shkelur shumë ligje duke dhënë këto leje, nuk ka pasur takime dhe dëgjesa me banorët e zonës. VNM që janë hartuar janë të pa studiuara. Ndërkohë që ekspert të pavarur që kanë bërë një vlerësim dhe ngrenë si shqetësim ndërtimin e HEC-eve në këtë Park, ku sqarojnë se këtu ka bimë të panjohura për shkencën, ka një ndërthurje të klimës mesdhetare me atë alpine. Gjë që e bënë Valbonën të rrallë”,-sqaron Catherine Bohne. Sipas saj, vendi ynë ka ligje shumë të mira nëse ato arrijnë të zbatohen. “Shteti nuk ka kosto nëse prish kontratën me kompaninë. Kompanisë që do ndërtojë në Dragobi i ka skaduar leja mjedisore. Shteti të mos ja miratojë, pasi është zonë e mbrojtur. Ne si komunitet në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe shoqatat që na kanë mbështetur do vijojmë luftën ligjore”,-thekson, Catherine, ‘amerikania e Valbonës.’
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)