NGA FATMIRA NIKOLLI

Një palë tespihe, një kryq ortodoks dhe një katolik janë të parat objekte që të zë syri në Muzeun Dioqezan pranë Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. “Bashkëjetesa fetare është me rëndësi të vihet në dukje”, na thotë Dom Artur Jaku, mbasi na ka treguar se tri objektet që përfaqësojnë tri religjione, janë dhurata. E njohur me emrin Kisha e Madhe (ndërtimi i Katedrales së Shën Shtjefnit zë fill më 1851-shin), para se të jetë muze, prej 1967-ës e deri me rënien e komunizmit, ajo qe shndërruar në pallat sporti. Sot, përtej një muzeu të dioqezës Shkodër-Pult, e më shumë se një dëshmi e kishës (dhe mbijetesës) në zonat e Shkodrës e më gjerë, aty ilustrohet më së miri, deviza e njohur e Gjergj Fishtës “për atme e fe”, “atdhe e fe” – (kujtojmë këtu kontributin kulturor e patriotik të priftërinjve, çka i bën të dalin përtej rrethit të besimtarëve).

Historia e kishës, nuk është (domosdoshmërisht) historia e Shqipërisë, veçse pikëtakimet a shkëmbimet e tyre nuk janë lënë jashtë vëmendjes në muzeun që të uron mirëseardhjen me një simbol të bashkëjetesës së feve e që mandej, në ndalesa të ndryshme të vë përpara dëshmi të kombit përkrah/ a veç atyre të fesë. Dom Artur Jaku, famullitar i katedrales së Shën Shtjefnit, ndalet në secilin objekt të shfaqur, diku duke treguar si erdhi në muze – e diku si mbijetoi, diku shpjegon formën – e diku përmbajtjen, është herë domethënia e herë veçse prania e secilit objekt me rëndësi (fotografi, veshje, pikturë, skulpturë, uratë, tespihe, tel me gjemba i Spaçit, rërë, gurë e mure) që nis nga shekujt e parë pas Krishtit, e deri te ditët tona. Arkitektet italiane Esteri Pagnoni dhe Francesca Radaelli kanë mundur që në një hapësirë jo fort të bollshme të nxjerrin dy kate dhe dhjetëra kënde, ku në dhomëza të veçanta janë, zëmë shembull- objektet e dala prej ‘varrosjes nën tokë’ a këndi i tingullit.

FRAGMENTE TË BUKURISË SË PLAGOSUR
Të ruajtura me vështirësi, herë-herë të fshehura, dëshmi të fesë por edhe të artit, skulpturat paraqesin herë shenjtët e herë Zojën. Mund të mos dihet kur janë realizuar a nga kush, por këto copëza skulpture të realizuara me mjeshtëri, përveçse fenë- religjionin, dëshmojnë edhe artin, madje edhe cilësinë e tij. Mbiquhen fragmente të bukurisë së plagosur pikërisht se bukuri është cilësuar në këtë rast arti, ndërsa plagosja nënkupton të mos qenit të plota- por të copëtuara prej se janë ruajtur ‘keq’, fshehurazi, nën dhé a mbi dhé, në kohët kur frika nga sekuestrimi vinte njëtrajtshëm me frymëmarrjet; Krishti në kryq nuk vjen me trup të plotë, ai ruhet i gjymtuar në mes e lart, te një kryq tjetër ai është pa krahë – e matanë, nga Zoja kanë mbetur vetëm buzët e hunda.

SKULPTURAT/ RIKTHIMI I LEGJENDËS SË MURIMIT
Kalaja e Rozafës na kujton që në fund të tingëllimit të shkronjave të veta – Legjendën e murimit, fjalën e dhënë- e besën, porse murimi nuk ka reshtur me legjendën. Pak minuta nga kalaja, në kishën e qytetit (që i ka rrënojat e para pikërisht në Kala- Kisha e Shën Shtjefnit), vijnë dëshmitë e murimeve më të afërta në kohë. Skulpturat- fshehja e një bukurie të ruajtur është këndi që i kushtohet tregimit të asaj që është ruajtur nëpërmjet fshehjes gjatë komunizmit. Ky seksion përfaqësohet nga skulptura prej druri e Shën Rrokut dhe nga gjysmë busti i Shën Kollit, sende të gjetura emblematike të një pranie më të gjerë në koleksion skulpturash të murosura në muret e shtëpive për t’u ruajtur nga sekuestrimet ose nga shkatërrimi, ose që janë rimarrë nga besimtarët në Muzeun Ateist pas rënies së regjimit komunist në ’90- ën.

“E shihni këtë mur poshtë Shën Rrokut? Është vënë enkas për të na kujtuar edhe vizualisht përveçse me shpjegimet anash, mbijetesën e kësaj skulpture. Skulptura e Shën Rrokut është murosur në një shtëpi- murosur brenda katër muresh, për t’i shpëtuar konfiskimit në komunizëm”, thotë Dom Arturi, e mandej na prin në një dhomë ku shfaqen objektet e dala nga dheu- të groposura me arka në oborre shtëpish. Për ta ilustruar më mirë këtë, falë konceptimit të muzeut, disa prej këtyre objekteve janë gjysmë në rërë e gjysmë jashtë saj.Në dritëhijet e krijuara nga ndriçimi, Shën Rroku dialogon nga përtej xhamit me fragmentet skulpturore të fytyrës së Zojës dhe të Kryqeve të Seksionit ‘Skulptura’, në një harmoni materialesh (në dru) dhe në një gërshetim domethëniesh (fragmente të plagosura – integriteti i ruajtur).

Ndërkaq ai na fut në temën e seksionit të mëpasshëm, kushtuar fshehjes dhe Kultit të Shenjtëve. “Trashëgimia e muzeut, – thotë Dom Arturi, – është vetëm një pjesë e asaj që ekziston, pasi një pjesë tjetër e konsiderueshme, janë të ekspozuara në vendet nga ku ishin marrë – në kishat dhe famullitë e zonës- para se të mblidheshin për t’u ekspozuar në Muzeun Ateist në Shkodër gjatë komunizmit.”

FE NË ERRËSIRË

“Dëshmi pagëzimi”- jemi në 25 gushtin e vitit 1966. Një shkrim i pjerrët, hollak, anuar në të djathtë, por i rregullt dhe i pastër hidhet rrëmbimthi në një copë letër që në dukje duhet të jetë shkëputur nga një fletore shkolle. Është mes këndeve të muzeut, e ndanë saj shënohet se është ‘certifikatë'(në thonjëza) pagëzimi e shkruar fshehtas gjatë regjimit komunist. “Duke qenë se ishte e vështirë të kremtohej çdo sakrament dhe të shënohej në regjistrat e famullisë, një famullitar e ka shkruar me dorë në një copë letër dëshminë e pagëzimit”, pohon Dom Artur Jaku. Matanë është edhe një ‘certifikatë’ martese e kremtuar nga Dom Luigj Kcira më 1992-shin, kur ende nuk qe e mundur të shënohej martesa në regjistrat e famullisë.

RRËNJËT E LASHTA
Këndi i muzeut kushtuar “rrënjëve të lashta e kujtimeve të së shkuarës” është një seksion që përmbledh sendet më të lashta të pranishme në koleksionin e muzeut. Nis nga një monedhë romake e kohës së perandorit Kostandin (perandor në vitet 306-337 pas Krishtit), e që vijon me sendet e gjetura prej guri që datojnë mes viteve 1100 dhe 1200 në ngulimet monastike në territorin e dioqezës, në atë kohë në numër të madh. Dom Arturi thotë se prani e rëndësishme është riprodhimi i ‘Tabula Militaris Itineraria Theodosiana’, kartë e lashtë e Perandorisë Romake e shek.IV që dëshmon përkatësinë e Shqipërisë në provincën e Ilirisë.

MARTIRI I PARË
Dom Lazër Shantoja gjendet në muze përmes një dëshmie të veçantë. Është veshja e tij si priftveshje talare, e zezë, e thjeshtë, e dalëboje, e prapë e ndritshme, martiri i parë i pushkatuar në Shqipëri më 1945-ën, është mes emrave, sendeve dhe frymës që sjellin së bashku, një histori- sa të vogël e të parrokshme- të kishës dhe shqiptarëve në një copëz Shqipëri.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: