Hamdi Salihi është edhe zyrtarisht një futbollist i skuadrës së Viener Nojshtad në kategorinë e dytë austriake. Sulmuesi shkodran ka gjetur prej kohësh marrëveshjen me klubin, por ka hedhur firmën në kontratë vetëm pasi është sqaruar çështja e dënimit prej 10 ndeshjesh që kishte marrë nga KDS pas ngjarjeve në Kukësi-Skënderbeu.

Klubi ka njoftuar për nënshkrimin me Salihin nëpërmjet një njoftimi në faqen e Facebook. “Dokumentacioni formal do të plotësohet në orët e ardhshme ndaj SC Viener Nojshtad është e lumtur të njoftojë për marrëveshjen me Hamdi Salihin.

Futbollisti 33-vjeçar shqiptar ka qenë pjesë e SV Ried dhe SK Rapid në Austri, ndërsa në vendlindjen e tij së fundmi ishte pjesë e Skënderbeut. Shqiptari mund të debutojë që sot në ndeshjen e javës së parë ndaj Ried, ku ka qenë një nga emrat më të dashur për tifozët”, shkruhej në njoftimin e klubit.

Sipas mediave austriake, Federata në këtë vend ka zyrtarizuar se dënimi që ka marrë lojtari në Shqipëri për ngjarjet e ndeshjes Kukësi-Skënderbeu, nuk do të jetë i vlefshëm në Austri, ndaj ai mund të luajë pa probleme në kampionat.

Postimi në Facebook shoqërohej edhe me një deklaratë të drejtorit sportiv të klubit, Andreas Shiker. “Jam shumë i lumtur dhe krenar që kemi arritur të sigurojmë një sulmues me kaq shumë eksperiencë si Salihi për projektin tonë te Viener Nojshtad. Suksesi që ka arritur në çdo stacion të karrierës së tij, flet vetë.

Jam i bindur se ai nuk do të jetë vetëm një hap i madh para për ne, por do të jetë një lider për skuadrën tonë te re”, tha ai./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: