Ishte viti 2015 dhe Dani Alves luante për Barcelonën kur u pyet për një të ardhme të mundshme tek anglezët e Manchester City dhe përgjigjja e brazilianit ishte sa e çuditshme, por edhe befasuese.

“Deri 5 vite më parë as nuk ia kisha idenë që Mançesteri kishte dy skuadra. Sigurisht, Mançester United është një nga klubet më të njohura në Europë për shumë vite, por mendoja se ishte i vetmi në këtë qytet.

Kur te Mançester City erdhën pronarët e rinj dhe filluan të blinin disa nga lojtarët më të mirë në Europë, të gjithë i njohën se kush ishin. Por dua të jem i sinqertë, deri atëherë unë nuk dija asgjë për ekzistencën e këtij klubi”, tha asokohe Alvesh.

Sipas asaj që raporton “Goal.com”, me kërkesën e Pep Guardiolës mbrojtësi i krahut është shumë pranë transferimit tek ‘qytetarët’. Klubi dhe braziliani kanë arritur një marrëveshje verbale për një pagë 5 mln euro për nisjen e një aventure të re në “Premier League”, por problemi qëndron tek insistimi i Juventusit që nuk pranon të privohet nga lojtari pa asnjë përfitim, siç pretendon menaxheri i futbollistit dhe klubi nga Manchesteri.

Gjithmonë sipas “Goal.com” marrëveshja mund të mbyllet për 5 mln euro dhe nëse Guardiola e kërkon me patjetër kjo shumë nuk do jetë problem për Manchester City-n.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb