Ajo që pritej, ka ndodhur. Elis Bakaj mund të mos jetë në fushë në ndeshjen finale për mbijetesë që Vllaznia do të luajë në fundjavë ndaj Tiranës në “Loro Boriçi”. Duke qenë se pas këtij takimi një prej dy skuadrave do të bjerë një kategori më poshtë, kjo përballje ka marrë të gjithë vëmendjen e opinionit.

Por, që pas përfundimit të javës së 35-të të Superiores, u panë llogaritë dhe u vërejt se dy ekipet me histori në vendin tonë, Tirana dhe Vllaznia, do diskutonin mbijetesën, u diskutua edhe emri i Elis Bakajt. Mesfushori, që u bë pjesë e kuqebluve gjatë merkatos së janarit, pasi nuk u federua dot me Tiranën për shkak të bllokimit të merkatos së kësaj të fundit, ka zgjedhur të mos jetë në fushë.

Burime të besueshme pranë klubit kuqeblu kanë bërë me dije se dje mesfushori i ka kërkuar trajnerit Cungu të mos e grumbullojë në ndeshjen ndaj Tiranës. “Nuk mundem të luaj. Nuk më bëjnë këmbët”, kanë qenë fjalët e Bakajt.

Të njëjta burime konfirmojnë se përgjigjja e parë e trajnerit ishte negative, duke i kërkuar mesfushorit që ka luajtur edhe si sulmues të jetë në fushë, por ky i fundit ka refuzuar. Ndërkohë që gazeta ka tentuar të flasë me futbollistin në lidhje me këtë çështje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Gjithsesi, nëse Bakaj do të jetë në fushë ndaj Tiranës, apo jo, do të shihet sot, pasi Vllaznia do të niset drejt Ulqinit. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: