Keidi Bare me sa duket ka garantuar praninë e tij në grupin e futbollistëve të ekipit të parë të Atletiko Madrid në sezonin e ri. Trajneri Simeone, jo vetëm që e ka grumbulluar atë për fazën përgatitore që ka zhvilluar në Spanjë, por edhe ka përzgjedhur futbollistin shqiptar në grupin e lojtarëve që kanë udhëtuar drejt Meksikës për miqësoren me Toluka.

Bare i është bashkuar skuadrës së parë që në fillimin e fazës përgatitore, por me paraqitjet e tij ka treguar se nuk është thjesht “për numër” me madrilenët. Mesfushori ka shkëlqyer në testet fizike duke dalë i dyti dhe pak nga pak ka bindur Simeonen që ta mbajë pjesë të ekipit edhe në vijim.

Ndaj Simeone ka përfshirë emrin e tij në listën prej 24 lojtarësh që ka marrë me vete në Meksikë për miqësoren me Toluka, ndërsa futbollistit shqiptar i është caktuar edhe një numër i ri fanelle, ai 27.

Bare kishte debutuar me fanellën me numrin 44 në ekipin e parë në fillimin e vitit, por në një skuadër si Atletiko, numra të tillë i përdorin vetëm lojtarët e akademisë. Lojtarët e ekipit të parë përdorin “numrat normalë”, brenda 30-shes dhe caktimi i 27-ës është një tjetër sinjal pozitiv për mesfushorin shqiptar./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: