Nga: MIRA BREGU*
Në vend të hyrjes! Çdo qytetar, kur merr qoftë edhe një informacion fi llestar për strukturat botërore që kanë për mision të rregullojnë botën, ai sigurisht është i ndjeshëm në radhë të parë për sigurinë dhe paqen. Nëse ky dimension funksionon mirë, ai menjëherë mendon për mirëqenien e tij, që të jetë sa më e lartë, që kultura dhe dijet që merr në një botë të hapur, ti shërbejnë lumturisë së jetës së tij dhe familjes. Kjo ndjeshmëri bëhet edhe më e madhe kur në këtë epokë që jeton…epokën e internetit, ai shikon diferencat e mëdha mes kombeve dhe shteteve në nivelin ekonomik e social të mirëqenies, apo kur krizat ekonomike dhe sociale trondisin botën dhe ai natyrshëm ndjen shqetësim gjithashtu për të ardhmen e tij – familjes, pavarësisht se në shtëpinë e tij-vendin-shtetin ku jeton, punët mund të venë “vaj..”
E pra të nderuar lexues, edhe për këtë pjesë të zhvillimit njerëzor që automatikisht ka nevojën e një rregullatori ekonomik-social botëror, OKB (duke pasur edhe shumicën në Asamblenë e Përgjithshme), vendet në zhvillim themeluan -UNCTAD-Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin. Ky themelim ishte si kundërpeshë e Bretton Woods, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pasi në to numri i votave llogaritej sipas kapitalit të depozituar, që do të thotë.., vendeve më të varfra nuk u ofrohej mundësia e ndikimit në vendimmarrje.
Por nuk është vetëm kjo organizatë që ka për objekt çështjet e zhvillimit ekonomik-social të mbarë njerëzimit. Për të kuptuar edhe më mirë, po ju jap një shembull …nga 35-40 takime-konferenca-sesione-bisedime etj, që zhvillohen në ditë, në Gjenevën ndërkombëtare, pra në OKB dhe të tjera organizata të instaluara këtu, pjesa më e madhe e tyre diskuton ide-programe, duke u ofruar qeverive projekte dhe politika zhvillimi ekonomik-social për të gjitha rajonet e botës, veçanërisht për vendet më pak të zhvilluara, vendet në zhvillim dhe vendet me ekonomi në tranzicion (ish-vendet komuniste).
Megjithëse Këshilli Ekonomik-Social i OKB e ka qendrën në OKB-Nju Jork, formatet konkrete të diskutimeve dhe programeve janë të shtrira në disa vende të botës, kryesisht në OKB-Gjenevë dhe në qytete të tjera të Zvicrës, si psh. Forumi Botëror Ekonomik në Davos, etj.
Në Palais des Nations, duke filluar me Forumin Botëror të Investimeve (tetor 2014), aktivitetet bazë të këtij formati kanë qenë ato që lidhen me UNCTAD (Konferenca e OKB për Tregtinë dhe Zhvillimin), UNECE (Komisioni Ekonomik i OKB për Europën), WIPO (Organizata Botërore për Pronësinë Intelektuale), UNEP (Program i OKB për Ambientin) apo ILO (Organizata Botërore e Punës) dhe OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), etj. Të gjitha këto struktura, bashkë me OBT (Organizatën Botërore të Tregtisë) që formalisht është jashtë sistemit të OKB, por që është organizata më prestigjioze në fushën e tregtisë ndërkombëtare, i japin trajtën ekonomisë, tregtisë dhe zhvillimeve të tjera që lidhen me këtë dimension.
…Mendoj se kjo sentencë, ky informacion jep mesazhin kryesor për ju lexues… Nëse ndjehesh se je vërtet pjesë e botës, i lidhur me të tërën dhe të përgjithshmen… në një mënyrë apo tjetër je edhe pritës i rezultateve nga këto struktura, je edhe kontribuues !
Mes dhjetëra takimesh ditore në Palais des Nations, më ka tërhequr vëmendjen SDG (Qëllimet/Objektivat për Zhvillimin e Qëndrueshëm të botës) apo MG (Qëllimet/Objektivat e Mileniumit) për të cilat vetë Drejtori i OKB Gjenevë (Moller), ka folur disa herë për to, duke theksuar se: “ bota ka nevojë për objektiva të qarta, gjithëpërfshirëse dhe të perspektivës, që të dijë ku do të shkojë në dekadat e ardhshme..” Në këtë pikë të së ardhmes”, doja t’ju shpjegoj se: SDG dhe MG janë programe të mëdha të kombeve të botës. MG tashmë është miratuar si platformë në Asamblenë e OKB, që në fillimin e Mileniumit dhe vijon zbatimi i tyre në terrenin konkret të punës. Ndërsa SDG (ku janë 17 të tilla dhe 169 nën-objektiva), janë në diskutim prej gati një viti dhe … do të miratohen në mbledhjen e Asamblesë së OKB- Nju Jork, në shtator të këtij viti. Të gjitha këto qëllime-objektiva, kanë marrë formatin e një platforme të quajtur “Post-2015 Development Agenda”.
Pra, ato janë objektiva mbarë botërore, të cilat përcaktojnë se çfarë duhet të bëjnë të gjitha kombet për të ruajtur jetën në planet, paqen dhe zhvillimin ekonomik-social, kulturor duke iu ofruar qeverive kombëtare apo rajonale (grup-shteteve), drejtime në aktivitetin e tyre ekonomik dhe social. Si rrjedhojë, qytetari ynë e merr këtë informacion interesash në shërbim të tij , nëpërmjet pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në strukturat botërore ekonomike dhe sociale.

– Për të kuptuar më mirë, po ju ofroj një prej takimeve të fundit pranë UNCTAD(Konferenca e OKB për Tregtinë dhe Zhvillimin), gjatë punimeve të saj njëjavore të Konferencës se 7-te ….
Në ditën e dytë të zhvillimit të kësaj Konference, u mbajt nje sesion i vec’ante per Politiken dhe Ligjin e Konkurrences ne Shqiperi -”Voluntary Peer Review of Competition Law and Policy: Albania” (PRC) me pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar të Autoritetit të Konkurrencës, Sekretariatit të UNCTAD që mbulon këtë sektor, përfaqësues të autoritetit të konkurrencës nga Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Filipine, etj, si dhe rreth 50 delegatë nga misionet në Gjenevë.
Formati i këtij aktiviteti shumë interesant në fushën e diplomacisë ndërkombëtare ekonomike, pra seanca për PRC u zhvillua si më poshtë:
-Fillimisht u bë prezantimi i PRC së Shqipërisë nga  drejtori bullgar i Autoritetit të Konkurrencës Z. Pangelov… ku bëri një pasqyrë të plotë dhe të detajuar, katër etapave nëpër të cilën ka kaluar ngritja dhe funksionimi i Autoritetit shqiptar të Konkurrencës (ASHK), përfshirë kuadrin ligjor, institucional, kapacitetet njerëzore dhe trajnimi i tyre në marrëdhëniet mes ASHK, firmave dhe gjykatave.
Raporti i grupit të ekspertëve të fushës, angazhuar nga UNCTAD, të cilët realizuan intervista fakt-mbledhëse me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, komunitetit të biznesit, konsumatorëve, si rolet kyc’e në zbatimin e Ligjit dhe të Politikës së Konkurrencës në Shqipëri, theksoi nder te tjera se:- legjislacioni aktual mundëson zbatimin e nje politike te konkurrencës ne sektorët e ekonomisë dhe se Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës ka shenuar progres ne rritjen e kultures se konkurrences ndermjet biznesit dhe konsumatoreve, por ky raport dha rekomandimet e nevojshme per politikberesit per aktet qe mund te kene prekur funksionimin e konkurrences ne treg.
-Më pas, delegacioni shqiptar prej 6 vetë, kryesuar nga Drejtoresha e ASHK, Znj. Lindita Milo, paraqiti raportin e gjithë aktivitetit të këtij institucioni me nje histori gati 11-vjec’are, si:-bashkëpunimin me entet rregullatore, institucionet publike; reformat e ndërmarra, sfidat me të cilat ndeshet; forcimi i statusit të pavarësisë së institucionit, raportet shpesh të vështira me gjykatësit për rastet e paraqitura në gjykatë, përmirësimi i marrdhënieve me klientët (firmat) dhe sidomos ndërgjegjësimi i tyre për zbatimin e ligjeve mbi konkurrencën, etj. 
Po në këtë segment, anëtarët e delegacionit shqiptar u dhanë përgjigje pyetjeve të shumta nga delegatët. Një vend të veçantë zunë “inter-dialogue debate” ku përfaqësues të autoriteteve të konkurrencës si p.sh ai italian, hungarez, bullgar, austriak, etj, dhanë vlerësime pozitive për rolin e ASHK dhe bashkëpunimin e tij me strukturat e BE, etj. 
-Në segmentin tjetër ishte radha e përfaqësuesit të UNCTAD, Prof.Mott që prezantoi “Technical Assistance Project for Albania”, i cili është një projekt 3-vjeçar që synon:
• Reformimin e kuadrit ligjor të ASHK, ku evidentohen sektorët konkret ku UNCTAD propozon të
Asistojë.
• Ndërtimi i kapaciteteve ku projekti parashikon asistencë tërësore në fushën e burimeve
njerëzore dhe trajnimeve të stafit të ASHK. 
• Mbrojtja e konkurrencës, ku u propozuan një seri masash në fushën e zbatimit të ligjit, përfshi “awareness” të firmave dhe kompanive, opinionin në tërësi që duhet ta konsiderojë ASHK si një strukturë që synon drejtësi dhe transparencë në treg, si instrumenti themelor i zhvillimit ekonomik të vendit.
PRC — Albania u zhvillua në një atmosferë shumë konstruktive veçanërisht nga delegatët e pranishëm të autoriteteve të vendeve të tjera të konkurrencës. Interesante ishin edhe ndërhyrjet (deklaratat) nga Afrika e Jugut, Pakistanit apo Egjiptit, apo fjalët përshëndetëse të disa delegatëve, gjithashtu dhe e delegacionit shqiptar, në seancën e fundit, ku vlerësoi shumë projektin, rekomandimet, sugjerimet. Nuk mund të lë pa përmendur se: – Përgjigjet e dhëna nga delegacioni shqiptar me kompetencë, morën vlerësime nga auditori i pranishëm në Palais des Nations.
Ndërkaq zinxhiri ekonomik e social pranë OKB vazhdon me hallkat e saj të pafund…që nga hedhja-përpunimi-hartimi-zhvillimi i ideve, deri tek politikat e zgjidhjeve-zgjedhjeve që u ofrohen rajoneve – shteteve – qeverive për të depërtuar-shkuar në të mirë të qytetarit !__
*Gjenevë, Zvicër

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: