Orinda Huta ka festuar ditëlindjen me një festë-surprizë të organizuar nga partneri i saj Turi dhe miqtë e tyre. Këngëtarja ka mbushur ditën e djeshme 29 vjeç, ndërsa rrëfen për “Bluetooth” se këtë ditë e ka pritur në shoqëri të mirë, e rrethuar nga dhuratat dhe dashuria.

“Mora një ‘serë’ me lule” është shprehur këngëtarja dhe prezantuesja e njohur, duke iu referuar buqetave të shumta me lule që ka marrë gjatë kësaj dite. Por cila ishte dhurata që i bëri Turi për ditëlindje? Moderatori i emisionit “Oktapod” tregohet modest, teksa thotë se: “Nuk jam natyrë që më pëlqen të zbuloj dhuratat që bëj dhe vlerën e tyre. Për ditëlindjen e Orindës organizuam një festë me miqtë dhe të afërm, por dhuratën që i bëra nuk kam dëshirë ta tregoj”.

Megjithatë, partnerja e tij e ka “tradhtuar” modestinë e Turit, ndërsa zbulon se ka marrë një buqetë të madhe me trëndafila të kuq, por edhe një pusullë shumë të veçantë ku shkruhej: “Se unë nuk di të shkruaj bukur, nuk jam i mirë me tekstet. Të dua”. Kaq ka mjaftuar që Orinda të ndihej tejet entuziaste dhe lumturinë e saj e ka ndarë me të gjithë, duke publikuar edhe një imazh të pusullës. Orinda Huta dhe Turian Hyska kanë një lidhje të gjatë, ndërsa prej disa vitesh jetojnë bashkë. Muaj më parë ata kanë rrëfyer se po planifikojnë martesën, por ende nuk kanë vendosur për një datë të saktë.

(m/k/BT/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: