VLORE- Tre ditë pasi e dhunuan me sende të forta, shefit të Kufirit në Triport të Vlorës i djegin makinën. BalkanWeb zbuloi tre ditë më parë se dyshimet për dhunën ndaj 49-vjeçarit Sadi Ceka lidheshin me detyrën, ndërsa “paralajmërimet” ndaj tij duket se vijojnë.
Policia e Vlorës deklaroi sot se në lagjen “Pavarësia” këtij të fundit i kanë djegur makinën tip “Skoda” dhe po hetohet për të identifikuar autorët.
Policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve të sulmit ndaj tij, që thuhet se ishin tre persona, që i zunë pritë afër banesës në qytetin e Vlorës.
Vetë Sadi Ceka nuk ka dashur të flasë për mediat apo të shprehet rreth ngjarjes, ndërsa në deponimin e tij në polici ka konfirmuar se nuk i ka njohur personat që e dhunuan, lidhur kjo edhe me faktin se ata kanë qenë të maskuar në momentin e ushtrimit të dhunës ndaj tij.
Nga ana tjetër, 49-vjeçari ka konfirmuar se nuk ka patur probleme apo ndonjë konflikt kohët e fundit që mund të jetë bërë shkak për ngjarjen.
Shefi i pikës kufitare Triport, gjatë deponimit të tij në polici, ka konfirmuar se ka qenë duke hyrë në banesë, në momentin kur tre persona e kanë qëlluar menjëherë duke mos i lënë mundësi për t’u shmangur apo që të reagonte. “Pavarësisht se jam mundur të mbrohem”, ka theksuar Ceka në polici, goditjet e tyre kanë qenë të forta në kokë, por edhe në trup.” 49-vjeçari ka theksuar se nuk ka patur probleme, ndërsa detyrën e tij e ushtron prej disa vitesh duke mos patur shqetësime apo kërcënime të ardhura në adresë të tij.
NJOFTIMI I POLICSË
Më datë 19.08.2017 rreth orës 03.40, Salla Operative Vlorë njoftohet se në lagjen ”Pavarësia”, është duke u djegur një automjet.
Shërbimet e policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar duke u djegur mjetin tip ”Skoda”, në pronësi të shtetasit S.C., (punonjës policie, me funksion shef i stacionit të pikës kufitare Triport).
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si edhe për identifikimin e autorit/ve të kësaj vepre penale.
(m.a/BalkanWeb)