NGA ERMELINDA HOXHAJ

Një grup qytetarësh nga Tropoja sot pritet që të zbarkojnë përpara Ministrisë së Energjetikës për të kërkuar takim në lidhje me ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e lumit të Valbonës. Pjesë e këtij grupi do të jetë edhe luftëtarja më e madhe në mbrojtje të këtij Parku Kombëtar, amerikania Catherine Bohne. Amerikania e Valbonës theksoi për “GSH” se ajo do të qëndrojë para derës së ministrisë deri sa t’i lënë një takim.

“Gjendja në Valbonë është shumë keq, buldozerët kanë hyrë në parë dhe po gërmojnë. Nuk mund të presim më. Ditën e hënë do jemi një grup 5-6 persona, përfaqësues të komunitetit dhe një jurist, që do kërkojmë takim me përfaqësues të Ministrisë së Energjetikës. U kemi kërkuar disa herë takim dhe përgjigje nëpërmjet shkresave zyrtare, por nuk kemi marrë asnjë kthim përgjigjeje. Ndaj, do shkojmë aty dhe do rrimë edhe gjithë ditën, apo dy ditë po të jetë e nevojshme deri sa të na japin përgjigje dhe të përcaktojmë një takim. Këtu po shkelet ligji, banorët nuk janë informuar për këto projekte, të cilat prekin drejtpërsëdrejti jetën dhe të ardhmen e tyre. Ndërtimi i këtyre hidrocentraleve është bërë në mënyrë të fshehtë dhe ne e kemi mësuar vetëm në janar 2016”, tha për “GSH”, amerikania Catherine Bohne.

Veç komunitetit të zonës dhe shoqërisë civile, zërat kundër ndërtimit të HEC-eve në Parkun e Valbonës janë shtuar edhe brenda mazhorancës. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Zamir Dedej, në një intervistë për “GSH” pak kohë më parë ka deklaruar se nëse ka vullnet politik, ndërtimi i HEC-eve në Parkun e Valbonës mund të ndalohet. Sipas tij, është absurde të thuhet se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve nuk do të kenë impakt në ekosistemin e parkut.

ZAMIR DEDEJ
“Unë jam kundër HEC-eve dhe sidomos në një zonë si Valbona. Por, kjo nuk bëhet me një të rënë të lapsit, heqja e këtyre lejeve nuk është aq e kollajshme. Nëse qeveria bën një prishje të njëanshme të lejesh, çështja shkon në gjyq. Leja nuk fshihet, por pezullohet sa të vendosë gjykata dhe nuk e dimë se cilat do jenë kostot për qeverinë shqiptare për prishje të njëanshme të kontratës. Ajo që mendoj unë është se qeveria nëse ka vullnet, duhet të ulet me subjektet që kanë marrë leje, të shikojë dokumentacionin për ndonjë parregullsi, ose t’i propozojë një territor tjetër, pra të dalim nga kjo zonë me ndjeshmëri të madhe natyrore.

Ose nëse bihet dakord me komunitetin e zonës, të ulet kapaciteti i hidrocentraleve, të bëhen HECe të vegjël dhe detyrimisht ato do të kenë impakt më të vogël dhe energjia mund të përdoret për furnizimin e fshatrave të zonës. Një gjë tjetër që duhet thënë është se komuniteti i zonës nga ndërtimi i HEC-eve nuk ka asnjë përfitim, veç humbje dhe dëmtim të zonës, sepse energjia që do prodhohet do të shkojë për qytetet e mëdha. Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka sugjeruar që të bëhet një studim i pavarur nga ekspertë të huaj për të dhënë një gjykim të paanshëm. Edhe ne e kemi sugjeruar këtë gjë për të parë ndikimin real dhe mundësinë e minimizimit të ndikimit në mjedis”, theksoi kreu i zonave të mbrojtura, Zamir Dedej.

Ndër të tjera, ai ka sqaruar se në territorin e zonave të mbrojtura, qeveria e mëparshme ka dhënë në total 67 leje për hidrocentrale, nga 520 leje dhe 173 koncesione që ka dhënë në total. “Ne nuk kemi përrua në këmbë, që nuk i është bërë një projekt për hidrocentral. Janë dhënë 520 leje dhe 173 koncesione për hidrocentrale, një u dha në 2014 nga qeveria aktuale. Me vendimet që kanë marrë, kanë bërë dëm shumë të madh. E vetmja pozitive është se 60% e tyre nuk kanë nisur ende nga puna. Specialistët e AKZM janë duke parë një me një lejet mjedisore që janë dhënë në territorin e zonave të mbrojtura. Në total kemi 67 leje, 40 prej të cilave janë në zonën e Librazhdit, në parkun Sherbenik- Jabllanicë”, – sqaroi Dedej.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: