Bundestagu gjerman miratoi sot një ligj që kufizon bashkimin familjar për refugjatët deri më 31 korrik. Duke nisur nga 1 gushti, 1 000 persona do të lejohen çdo muaj për të emigruar në Gjermani si pjesë e procesit të bashkimit familjar, kjo kuotë nuk përfshin rastet emergjente.
Kjo ishte njëra nga temat më të kontestuara të politikës gjermane-kur duhet të marrin familjet refugjatët? Vendimi i parlamentit gjerman erdhi si pjesë e kompromisit të arritur mes unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve.
Bundestagu vendosi të shtyjë ndalimin e bashkimit familjar për refugjatët me status të kufizuar qëndrimi, pra ata që nuk janë të njohur plotësisht si azilantë deri në fund të korrikut, shkruan Deutsche Welle.
Më parë koalicioni me bazë të gjerë kishte ndaluar bashkimin familjar për dy vjet nga marsi i vitit 2016. Tani Unioni konservator i partisë kristiandemokrate, CDU dhe asaj kristiansociale, CSU bashkë me socialdemokratët arritën kompromisin mes tyre pas debateve të zgjatura për një shtyrje të re. Pas korrikut do të mundësohet ardhja e 1000 vetëve në muaj, përjashtuar rastet e veçanta.
Të gjelbrit dhe e majta e kanë kritikuar rregulloren, ndërsa partia djathtiste, AfD kërkon shfuqizimin e plotë të pretendimit për bashkim familjar për refugjatët me status të kufizuar qëndrimi. Deri në fund të korrikut koalicioni i ri i mundshëm mes konservatorëve dhe socialdemokratëve do të mundësojë rregulloret që do të lejojnë nga fillimi i gushtit ardhjen e familjarëve. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere që e quajti këtë një kompromis realist, theksoi se, veç kësaj do të jepen viza për raste të veçanta të jashtëzakonshme. Kreu i grupit parlamentar E Majta, Dietmar Bartsch e kritikoi ligjin duke e quajtur “arbitrar, si dhe me pikëpyetje nga ana morale dhe jo të njerëzishëm”.
(m.k/BalkanWeb)