Prej disa ditësh, skuadra e Partizanit është zhvendosur në Ohër ku po kryen edhe përgatitjet për takimin e parë të Ligës së Europës, ku do të ketë përballë bullgarët e Botev Plovdiv. Por, kur përgatitjeve po u vinte fundi, një lajm jo shumë pozitiv vjen nga kampi i të kuqve.

Sulmuesi kryesor, Xhevahir Sukaj, ka pësuar një dëmtim në gju në një prej seancave stërvitore. Mësohet se vetë futbollisti është trembur shumë në momentin e parë kur ka marrë edhe goditjen dhe u dyshua për diçka të rëndë, që mund ta linte jashtë fushave për një kohë të gjatë.

Por, pasi gjendja e tij është kontrolluar, mësohet se nuk ka pasur një dëmtim në menisk dhe ai mund të jetë sërish në fushë për pak ditë. Gjithsesi, vizita më të detajuara do të ketë të premten, ditë në të cilën të kuqtë do të rikthehen në Shqipëri. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, sulmuesi shkodran duket se do të qëndrojë pushim, pasi edhe dje nuk është bashkuar me pjesën tjetër të ekipit.

DËMTIMI
Burime të “Panorama Sport” pranë klubit të kuq kanë bërë me dije se vetë lojtari ka kaluar traumën e momentit të dëmtimit dhe është më mirë në aspektin psikologjik, duke pasur edhe besimin se do të rikthehet shpejt në fushë. Lojtari ditët e fundit po kalonte një formë mjaft të mirë dhe trajneri Starova pritej që ta aktivizonte si titullar në ndeshjen e parë ndaj bullgarëve.

Megjithatë, në vazhdim do të shihet gjendja e futbollistit dhe do të vendoset nëse ai do të luajë, apo do të jetë i gatshëm për takimin e kthimit që do të luhet në transfertë. Gjithsesi, gjasat janë që ai të mos jetë në fushë në takimin e parë që luhet në kryeqytet. Në rast se ai mungon, atëherë Partizani do të ketë të gatshëm në sulm Filin, Jaupajn si dhe kamerunasin Xhixhiua, i cili është federuar ditët e fundit me të kuqtë dhe po zhvillon fazën përgatitore në Ohër.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: