TIRANE- Akuzat e ndërsjella në media për përfshirje në ish-strukturat e Sigurimit të Shtetit mes Bujar Nishanit dhe diplomatit të ngarkuar me punë në Vatikan, Visar Zhiti, shkojnë edhe më tej, pasi çështja mes tyre përfundon në Gjykatën e Tiranës.

Është presidenti në detyrë, Bujar Nishani ai që kërkon nga Gjykata e Tiranës dënimin e Zhitit, me akuzën e shkaktimit të dëmit ndaj figurës së presidentit dhe familjes së tij.

Padia është hedhur në short këtë të martë pranë dhomës civile në Gjykatën e Tiranës, ndërsa i takon gjyqtares Mimoza Kajo që do të vendosë nëse do të pranojë apo jo padinë e Nishanit.

Akuzat e ndërsjella mes tyre nisën kur Nishani refuzoi të dekretojë Visar Zhitin në postin e ambasadorit pranë selisë së shenjtë në Vatikan.

Kjo është padia e dytë e depozituar në gjykatë nga Nishani ndaj një ish funksionari të lartë të Partisë Demokratike. Më parë ai ka paditur në Gjykatën e Durrësit dhe ish zv/kryeministrin demokrat, Bashkim Kopliku.

Bujar Nishani, me herët e ka quajtur të ngarkuarin me punë në Vatikan si “jo të qëndrueshëm psiqikisht”, dhe se ka bashkëpunuar si spiun në Burgun e Spaçit. Këto akuza Zhiti i ka quajtur si shpifje ordinere.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: