TIRANE- Pas arrestimit të ish-drejtorit të LSI-së Dashamir Xhika, prokuroria e Elbasanit ka lëshuar edhe 10 urdhër-arreste të tjera për skandalin e rrugës së Gjinarit në Elbasan.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në pranga ka rënë edhe Andi Toma, ish-drejtor i Përgjithshëm të Rrugëve, nga viti 2008-2013 (në kohën kur qeveriste PD), Rexhep Tarba (mbikëqyrësi i punimeve në rrugën e Gjinarit), Agron Hysa dhe Kujtim Hysa, ndërsa Rezarta Bokçiu është me ‘arrest shtëpie’.

Të njëjtat burime pohuan për ‘BalkanWeb’ se nga 11 urdhër-arreste janë ekzekutuar vetëm 6 prej tyre, ndërsa priten ende të tjera arrestime. Përveç masës së arrestit, policia ka ushtruar edhe kontrolle në banesë tek zyrtarët në fjalë.

Kallëzimi për abuzime ndaj Dashamir Xhikës u bë nga prokuroria e Elbasanit, konkretisht shpërdorim fondesh në ndërtimin e rrugës së Gjinarit. Procedurat e rrugës së Gjinarit kanë nisur që në vitin 2009.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, sipas detyrave dhe funksioneve që kanë patur, kanë kryer veprime dhe mosveprimeve të kundërligjshme, që kanë sjellë si pasojë shpërdorimin e fondeve publike në shumën rreth 5 miliardë lekë të vjetra, të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, dhe objekti nuk është realizuar”, thuhet në vendimin e gjykatës së Elbasanit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: