TIRANE – Ajo ka entuziazmuar të gjithë shqiptarët me medaljet dhe rekordet e saj. Për të harruar një histori të dhimbshme dopingu që i preu në mes ëndrrën sportive, tashmë është kthyer ne shërbim të qytetarit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Bëhet fjalë për Fetije Kasajn, ajo që theu tabunë e femrës peshëngritëse në Shqipëri.

“E kam nisur në 1998 në Greqi. Peshëngritja mu duk sporti që më përshtatej më shumë”, shprehet Fetije Kasaj.

Pengesa e parë për të ishte e ëma, e cila duke e parë peshëngritjen si një sport burrëror, nuk donte që t’i shtohej numri i meshkujve në shtëpi.
“Nëna më thoshte se ishte një sport shumë i rëndë për vajzat, por me kalimin e kohës u mësua”.

Talenti i saj u pikas nga trajnerët helen, të cilët bënë gjithçka që ajo të merrte nënshtetësinë greke. Por përpjekjet e tyre të shumta nuk dhanë asnjë rezultat.

Gara e parë e saj nën flamurin shqiptar ishte në vitin 2004, ku ajo pavarësisht moshës së vogël arriti të futej mes 10 më të mirave të Europës. Titulli nënkampione Europe dhe Bote bëri që ajo të shndërrohej në idhull për shumë femra të tjera, të cilat filluan të ndiqnin hapat saj. Por lavdia dhe suksesi i saj u ndërpre si me thikë në vitin 2007, kur ajo rezultoi pozitiv në testin antidoping.

“Rezultova me substancë stanozolol. U tmerrova sepse nuk e prisja një gjë të tillë. Uroj që asnjë sportist të mos e kalojë një gjë të tillë. Ishte një nga momentet më të këqija të jetës sime”, shprehet Fetija.

Pak kohë më vonë, ajo kërkoi për herë të parë falje publike në emisionin “Top Story” për atë që i kishte ndodhur.

“Unë kam kërkuar falje dhe do të vazhdojë të kërkoj. Unë nuk po them që nuk e kam marrë, por pa dashje, pa ditur se çfarë është”, kishte thënë kohë më parë në emisionin “Top Story” Fetije Kasaj.

Por falja nuk e ndihmoi të rikthehej sërish aty ku kishte qenë. Dënimi e la përfundimisht jashtë Lojërave Olimpike, të cilat janë ëndrra e çdo sportisti.

“Normalisht që më ka ngel peng që nuk vajta në aktivitet olimpik, por pati edhe një anë të mirë. Gjatë asaj kohe unë krijova edhe familje dhe u shkëputa”.

Duke qenë se gjatë gjithë kohës ishte mësuar të ishte në vëmendjen e njerëzve, Fetija vendosi të qëndronte sërish mes tyre.

“Unë kam gati një vit e gjysmë që jam larguar nga sporti, pasi kam filluar një detyrë të re. Jam e lumtur që jam këtu, pasi jam pranë njerëzve dhe i ndihmoi me sa kam mundësinë. Sporti të do të përkushtuar në të gjithë kohën, ndërsa këtu jam në fazën e ‘shtëpiakes’”.

Padija rreth dopingut e trajnerit dhe sportistes, bëri që një talente si Fetija të mbyllte para kohe karrierën e saj sportive.

Duke marrë shkas nga kjo dhe rastet e tjera që e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë të antidopingut, Komisioni Antidoping ka filluar të sensibilizojë të gjithë sportistët dhe në veçanti ata elitarë për këtë fenomen që është shndërruar në gangrenë në sportin botëror. (tch)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: