TIRANE- Pas letrës së shkrimtarit Ismail Kadare, një tjetër letër është firmosur nga disa vajza dhe gra shqiptare pjesë e politikës dhe shoqërisë civile të cilat janë solidarizuar me ambasadoren e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, e cila ditë më parë u bë pre e sulmit verbal të Kastriot Myftaraj.

Në emër të grave, ato e falënderojnë diplomaten e lartë për kontributin që ajo ka dhënë këto vite duke i thënë se është një mike e mençur dhe e hijshme e Shqipërisë.

LETRA

Shkrimi i fundit i serialit të dhunës verbale dhe shkrimeve misogjene të botuara në shtypin shqiptar i vuri kapakun gjuhës bastarde që përdoret kundër grave, sidomos atyre në karrierë politike e vendimmarrëse.

Artikulli i paprecedent, me fjalë fyese e denigruese kundër Ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin ka prekur të gjitha gratë shqiptare për shumë arsye: Romana është mike në vendin tonë, është zyrtare e lartë e një institucioni ndërkombëtar dhe përfaqëson ato gra që ja dalin të ngrihen në nivele të tilla drejtuese.

Për cilin burrë është shkruar ndonjëherë në shtypin shqiptar “që është ku****”, kur flitet për karrierën e tij politike? Asnjëherë! Ç’argument është ky për të sulmuar një grua apo edhe një burrë në karrierë?

Nuk ja kemi borxh askujt të lexojmë në gazeta shkrime të tilla, të cilat janë faqe turpi e të zeza të shtypit shqiptar.

Po, Romana Vlahutin është një grua e mençur dhe hijshme! Dhe ecën si ti dojë qejfi!

Mirëpo kjo shqetësoka Kastriot Myftaraj e ndonjë tjetër dhe e bën që të përdorë këto dy veti të adhurueshme si armë mediatike kundër zonjë Vlahutin. Sepse kështu ndër shekuj janë masakruar gratë, për bukurinë dhe mençurinë e tyre.

Kthjellohu z. Myftaraj, ndoshta se ke bërë ndonjëherë, por thirri mendjes sepse është fisnike të kërkosh ndjesë publike.

E drejta për tu shprehur në shtyp lirshëm e pa ndroje është e drejtë e gjithsecilit nga ne e fituar me ardhjen e demokracisë, por nga ana tjetër dëmi dhe turpi që na krijon ne shqiptareve e shqiptarëve ky lloj artikulli është shumë më i madh e i pamerituar. Është përgjegjësi publike e mediave shqiptare të mos botojnë dhe riprodhojnë artikuj që nxisin gjuhën e urrejtjes dhe denigrimit të personit.

Zonja Vlahutin, në emër të shumë grave shqiptare ju falënderojmë për punën tuaj dhe dëshirën e mirë që Shqipëria të përparojë në rrugën drejt Evropës, drejt të vetmes rrugë që duam duke zbatuar reformat e nisura.

Lista e vajzave dhe grave:

Mirela Arqimandriti
Majlinda Bregu
Valdet Sala
Vjollca Meçaj
Vasilika Hysi
Milva Ekonomi
Olta Xhaçka
Delina Fico
Juliana Hoxha
Klotilda Ferhati
Eglantina Gjermeni
Milena Harito
Ani Ruci
Ines Leskaj
Olda Çeta
Iris Luarasi
Fabiola Egro
Jolanda Trebicka
Ela Pjero
Albana Fico
Djana Papleka Djaloshi
Manjola Hodo Duro
Qendra Aleanca Gjinore per Zhvillim
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
Refleksione
Ballkan Youth Link Albania
Shoqata për integrimin e Zonave Informale
Social Contract Institute
Rrjeti për Demokraci i Grave
Linja e Këshillimit për vajza e gra
Qendra për Zhvillim Komunitar

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: