TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson skandaloze dhe të paligjshme thirrjen e kryeministrit Edi Rama për punonjësit e policisë së Shtetit që pas uniformës të mbledhin vota për PS-në.

Në një deklaratë të vonë në selinë e LSI-së, nënkryetari i kësaj force Luan Rama deklaroi se ky është një veprim i kundraligjshëm i kryeministrit Edi Rama.

“Nga kjo konferencë për shtyp në këtë orë të vonë por jam i detyruar për të denoncuar një qëndrim tërësisht të pandërgjegjshëm dhe të kundërligjshëm të kryeministrit të vendit, që në mënyrë absurde dhe në humbje totale të kontrollit ka deklaruar se fton Policinë e Shtetit që pasi heq uniformën të mbledhë vota për PS. Ky është një rast skandaloz, i paprecedentë, provokativ sepse Policia e Shtetit e ka të ndaluar me ligj të marrë pjesë në veprimtari politike dhe aq më tepër të mbledhë vota për një subjekt politik.Policia e ka të ndaluar të mbledhë vota për llogari të një subjekti politik. Më lejoni të lexoj se çfarë thotë ligji për policinë e shtetit. Në nenin 4 thuhet se policia e shtetit është institucion i administratës shtetërore dhe në pikën 2 thuhet se policia e shtetit është e depolitizuar. Nëse kryeministri nuk e kupton çdo të thotë ndalim absolut le të pyesë avokatët e vet. Por kjo do të thotë se çdo punonjës i policisë së shtetit e ka të ndaluar të jetë pjesë e çdo force politike. Gjithashtu në pikën F citohet paanshmëria politike. Kryeministri i Rilindjes urdhëron policinë të vjedhë votat. Kryetari i Rilindjes që është lodhur të bëjë shtet në fakt po bën anti shtet”, deklaroi Luan Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: