TIRANË- Gjetja e një zgjidhje që do t’i jepte fund krizës politike edhe pas takimit 60 minutësh në Kryesinë e Kuvendit në praninë e eurodeputetit Knut Fleckenstein dhe zyrtarit të PPE-së, David McAllister, duket ende e largët për kryeministrin Edi Rama dhe Kryeparlamentarin Ilir Meta.

Themi këtë nisur nga batuta që bëri kryeministri Rama me gazetarët, fill pasi bisedoi vetëm për vetëm, mbi 30 minuta në zyrë me aleatin e tij Ilir Meta, siç raporton për BalkanWeb, gazetarja Marsela Karapanço.

Sipas saj, interesimi i gazetarëve që e prisnin jashtë ishte i madh, por Rama zgjodhi të “ngacmojë” të djathtët me një batutë. “Mos na e zini dhe ju rrugën, boll kemi ata që na e kanë zënë”,- ka thënë ai pa komentuar më shumë.

Nuk dihet nëse kjo batutë lidhet me ndonjë refuzim të mundshëm të dialogut nga ana e PD-së, por një gjë është e sigurt, të dërguarit e Europës, ndodhen në zyrën e Lulzim Bashës dhe po negociojnë me të.

Referuar burimeve, gazetarja Marsela Karapanço thotë për “BalkanWeb” se nëse zyrtarët europianë arrijnë një marrëveshje me Lulzim Bashën, atëherë do të ketë një takim mes tre krerëve të PS, LSI dhe PD, në praninë e McAllister dhe Fleckenstein. Parashikohet që ky takim të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb