Kreu i Partisë Social-Demokrate Paskal Milo në një intervistë me gazetaren Nisida Tufa në emisionin “Kjo Javë” ka folur për krizën në Maqedoni si dhe situatën aktuale në Kosovë.

Milo theksoi se bashkëjetesa me shqiptarët, ka qenë dhe do të mbetet gjithnjë një faktor përcaktues për Maqedoninë dhe se tani ky shtet po kërkon të pengojë krijimin e një qeverie që do të rishikojë marrëdhëniet me shqiptarët.

Ish-Ministri i Jashtëm vuri në dukje edhe rolin e Tiranës në këtë situatë, duke thënë se ajo është sjellë në mënyrë moderne duke u kujdesur për shqiptarët kudo që jetojnë.

 

“Refuzimi i Presidentit Ivanov ka një prapavijë politike. Ai u zgjodh President me ndihmën e partisë VRMO/DPMNE. Asnjëherë nuk kanë dashur që shqiptarët të kenë të drejta të barabarta kushtetuese me popullin maqedonas

Tirana është sjellë në mënyrë moderne dhe ka dhënë mesazhe paqeje, mirëkuptimi, dhe nëse Tirana ka luajtur një rol këshillues për partitë shqiptare atje, kjo është në të drejtën e vet. Sepse kujdesen për shqiptarët kudo që ata jetojnë. Qeveria shqiptare ka bërë detyrën e vet.  VRMO/DPMNE kërkon të mbajë pozitat që gjithnjë ka pasur, për rrejdhojë se dështoi me faktorët politikë shqiptarë, tani kërkon që të pengojë krijimin e një qeverie që do të rishikojë situatën e shqiptarëve,” tha Milo.

Fushata dhe protestat kundër zyrtarizmit të gjuhës shqipe
Që kur Maqedonia u krijua si shtet, ka qenë shtet i dobët. Gjithnjë ka qenë dhe mbetet faktor përcaktues për Maqedoninë, bashkëjetesa me shqiptarët. Kjo rrezikohet kur shqiptarëve do t’u mohoen në mënyrë të vazhdueshme të drejtat në Maqedoni.

Ndikimi rus në Ballkan
Ka kohë që Rusia është duke synuar të ndërhyjë fort në Ballkan dhe i ka të gjitha mundësitë. Ka traditën historike të saj dhe patjetër që duke qenë se BE u angazhua me problemet e krizës së brendshme, duke qenë se SHBA u tërhoq nga Ballkani, dhe kriza është evidente në Europë, Rusia përfitoi nga kjo krizë dhe po ndërhyn në rajonin e Ballkanit për të forcuar pozitat  e saj. E ka nisur me Serbinë, me Malin e Zi.

Kosova po përballet me formimin e ushtrisë, kërkuar nga Thaçi, mohuar nga NATO
Krijimi i ushtrisë së Kosovës si shtet i pavarur, është çështje sovraniteti. Edhe partnerët ndërkombëtare të Kosovës, e kanë mirëkuptuar këtë kërkesë. Ka një zbehje të përkrahjes së Kosovës nga Perëndimi. Vendet e Europës kanë filluar të forcojnë lidhjet me Serbinë, e shohin si faktor të rëndësishëm në rajon. Kjo ndodh se klasa politike në Kosovë po bëjnë disa gabime, pasi janë angazhuar në një grindje politike të pafundme mes tyre për pushtet, kjo dobëson pozitën, dhe i bën të pakënaqur vendet që duan t’i përkrahin.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: