DURRËS- Deputeti demokrat Astrit Patozi bashkë me të tjerë demokratë të grupimit anti-Basha po zhvillon një takim në Durrës me bazën. Deputeti që nuk do të jetë në parlamentin e ardhshëm, në përpjekje për të fituar mbështetjen e demokratëve deklaroi se ata janë kundërshtarë të Ramës dhe jo të Bashës. Sipas tij, Basha korri atë që mbolli dhe duhet të jepte dorëheqjen.

“Ne jemi kundërshtarë të Ramës, jo të Bashës. Janë kushte ekstreme që po kalon PD. Durrësi është barometër i gjendjes së Partisë Demokratike. Qëllimi është bashkimi e ringritja e PD. Ne duam bashkimin e PD-së. Ne humbëm në zgjedhje për vendime që nuk u morën kurrë. Basha në 25 qershor korri atë që mbolli, të jepte dorëheqjen. I kërkova të ikë nga selia, në vend të garës zgjodhi farsën. Selami vetëm sa ka vënë emrin, nuk është kandidat”, deklaroi Patozi.

Ai foli për ndryshime dhe kufizim të mandatit të kreut të PD-së.
“Në PD duhet të jenë aksionerë të gjithë demokratët. Zvogëlim dhe kufizim i mandatit të kreut të PD. Ne duhet të bëjmë shenjtërimin e statutit, të mos shkelet. Të jetë i përcaktuar në statut dorëheqja së kryetarit në rast humbjesh. Kërkojmë bashkim të PD-së sot. PD duhet të jetë shtëpia e popullit demokrat”, deklaroi ai.

Patozi tha se nuk po lejohet garë e barabartë në PD, ndërsa i bëri thirrje edhe ish-kryeministrit Sali Berisha të reagojë.

“Nuk po na lejohet garë e barabartë në PD. I bëjmë thirrje Sali Berishës dhe çdo demokrati nga jugu në veri të reagojë”, theksoi Patozi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: