TIRANE- Ministrat teknikë kanë përgatitur tashmë raportet për ditët që kanë qenë në detyrë pas marrëveshjes Rama-Basha. Ndërkaq, ata kanë bërë gati edhe dorëheqjet e tyre. këtë e ka bërë publike sot kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, pas takimit që ka zhvilluar me grupin e ri parlamentar të kësaj force politike dhe krerët e degëve në rrethe.

Sakaq, kryedemorkati basha ka theksuar se forca politike që ai drejton është gati të bëjë opozitë të fortë.

“Vizioni dhe vlerat tona na bashkojnë me shumicën e qytetarëve në emër të të cilëve do të bëjmë opozitë të fortë. Në qershor dhe korrik 20 mijë shqiptarë janë larguar duke kërkuar azil në vendet perëndimore, çka tregon se në qeverisjen e Ramës nuk jetohet.

Ne do të denoncojmë të gjitha rastet që vështirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë.
Jemi gati të bashkëpunojmë me këdo që është gati të bëjë opozitën për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend, dhe jo pazar-opozitë. Ministrat kanë bërë gati dorëheqjet e tyre”, tha Basha.

Basha tha ndër të tjera se PD do dalë edhe me një analizë dhe reflektim të thellë për humbjen, por sipas tij misioni aktual është për një opozitë reale dhe të fortë.

“Analiza bëhet në dy nivele, jo në nivelin sovjetik, por në nivelin e analizimit të fakteve. PD do dalë përmes një reflektimi të thellë dhe ju ftoj të gjithëve të mbajmë vëmendjen tek ajo që ka nevojë Shqipëria sot. Pra tek një opozitë reale dhe e fortë”- tha Basha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: