TIRANË – PD-ja ka akuzuar sot Qeverinë dhe Kryeministrin se ka paguar qindra milionë lekë për “ahengjet” qeveritare: 500 milionë lekë për këngëtaren britanike Jessie J dhe 300 milionë lekë, për dekore.

Koordinatorja Reila Bozdo tha sot se “Edi Rama ka shpenzuar disa qindra milionë lekë për festat dhe dekorin e fundjavës, ndërkohë që Shqipëria është në mjerim, e teksa qytetarët nuk kanë 10 mijë lekë të vjetra të paguajnë dritat, sepse nuk kanë një vend pune.

Duke jetuar në botën e tij paralele, pa asnjë komunikim me jetën e vështirë të qytetarëve, Edi Rama e zgjidh me bujari qesen e qindra milionë lekëve, për koncerte, skenografi, e për medalje, para që në fund shkojnë tek firmat që kanë ngritur ministrat ose stafi i tij i ngushtë.

Media ka zbluar se janë rreth 300 milionë lekë që i ka marrë e njëjta kompani që shpërblehet nga Edi Rama sa herë ka një aheng qeveritar.

Media ka zbuluar se janë rreth 500 milionë lekë nga taksagapuesit, të dhëna për këngëtaren. Eshtë zbuluar në media se janë rreth 50 milionë lekë të shpenzuara për dekorata për të ushqyer më së shumti ideologjinë që sjell konflikt e jo bashkim.”

Përballë këtyre shembujve që solli, Bozdo kundërvuri rastin e një adoeleshenteje jetime nga Puka, e arrestuar për vjedhje të energjisë elektrike. “Dhe teksa Edi Rama bën gosti të shfrenuara për festat e tij qeveritare, media zbulon se një 17-vjeçare në Pukë arrestohet, – tha ajo, – sepse ka motra dhe vëllezër më të vegjël për të mbajtur, e nuk jeton dot në errësirë, sepse nuk ka 10 mijë lekë të vjetra për të paguar dritat.

Shpenzimet e çmendura qeveritare, vijnë në një kohë, kur buxheti i ri parashikon ulje fondesh për të varfërit, për të pamundurit, për asistencën, për fermerët, për shëndetësinë e arsimin.Më të mëdha do të jenë shpenzimet qeveritare në vazhdim, sepse kështu i ka parashikuar Edi Rama me buxhetin e ri, teksa i ka rritur ato me 30 përqind krahasuar me një vit më parë.

Pikërisht për këtë verbëri për të parë realitetin e shqiptarëve në nevojë, pikërisht për këtë arrogancë të qejfeve të shfrenuara qeveritare, Shqipëria është në protestë. Dhe protestë do të ketë derisa kjo e keqe të ndalet,” – përfundoi Bozdo.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: