TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas kërkesës së Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për shtyrjen e afateve të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore drejtuar KQZ-së.

Në një letër dërguar KQZ-së, të cilën e disponon “BalkanWeb” kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka referuar neneve 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor thotë se mosrespektimi i afateve prekluzive do të thotë humbje e mundësisë së ushtrimit të vetë të drejtës për të votuar.

“Afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një konsensusi gjithëpërfshirës në Kuvend”, thuhet në letër.

Sipas PD-së, nëse shtyhen afatet e regjistrimit, KQZ do të përkufizohej si një institucion politik që i shërben qeverisë.

LETRA E PLOTË
Tiranë më 19.04.2017
Lënda: Mbi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim
Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Të nderuar anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,
Koalicioni i bashkuar opozitar, është vënë ditën e sotme në dijeni të një kërkese të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, drejtuar institucionit tuaj, me anë të së cilës kërkohet mbajtja e një qëndrimi lidhur me mundësinë e shtyrjes së afatit të regjistrimit të partive politike në zgjedhje, si dhe të shtyrjes së regjistrimit të koalicioneve zgjedhorë.
Në lidhje me sa më sipër, vlerësojmë të domosdoshme të sjellim në vëmendje tuaj, se afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë afate prekluzive, çka do të thotë se të drejtat ose detyrimet të cilat duhen ushtruar dhe/ose përmbushur brenda këtyre afateve, nuk mund të ushtrohen tej përmbushjes së afatit të sipërcituar. Pra, me fjalë të tjera, mosrespektimi i afateve prekluzive ndikon drejtpërsëdrejti në thelbin e të drejtave dhe detyrimeve që ato garantojnë, dhe shkelja e këtyre afateve nuk mundet të ketë pasojë tjetër përveçse asaj të parashikuar nga ligji, pra humbjes së mundësisë së ushtrimit të vetë të drejtës. Edhe praktika e konsoliduar shumëvjeçare e vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e konfirmon këtë qasje ligjore.
Nga ana tjetër, afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një konsensusi gjithëpërfshirës në Kuvend.
Ne vlerësojmë se çfarëdolloj qëndrimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi kërkesën për shtyrje të afateve të përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor, dhe aq më tepër disponimi me vendimmarrje mbi këtë kërkesë, do të paragjykonte çdo lloj zgjidhje politike të krizës së thellë politiko-institucionale në vend, por veçanërisht do të përvijonte KQZ si një institucion thellësisht politik i cili i shërben si mashë elektorale kastës qeverisëse në vend.
Përsa më sipër, ritheksojmë edhe njëherë qëndrimin e koalicionit opozitar mbi nevojën e respektimit rigoroz të detyrimeve që përcakton Kodi Zgjedhor, veçanërisht nga institucionet e ngarkuara me përgjegjësinë e organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve.
Me konsideratë,
Kryetari i Grupit Parlamentar
Edi Paloka

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: