TIRANE- Partia Demokratika ka vijuar edhe sot akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, se ka ndihmuar vëllain e tij t’i shpëtojë ekstradimit. Në një deklaratë për mediat, këshilltari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, tha se “Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është aryseja pse Agron Xhafaj i ka shpëtuar dënimit, pse Ligji Antimafia nuk vepron mbi Agron Xhafajn dhe atë vetë”.
Bashkë me deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji, kanë publikuar provat që sipas PD tregojnë se ministri i Brendshëm “nuk flet dot, sepse nëse flet i duhet të pranojë se e ka ndihmuar të vëllain që t’i shpëtojë drejtësisë”.
“1- Së pari, Fatmir Xhafaj nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm ka shkelur ligjin për të ndihmuar vëllain e tij ti shpëtojë vuajtjes së dënimit duke penguar cdo veprim për ekstradimin e tij:
(i) për të verifikuar dhe identifikuar identitetin e ri të Agron Xhafajt;
(ii) për të njoftuar autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri;
(iii) për arrestimin dhe burgosjen e tij.
Fatmir Xhafaj këtë e ka për detyrë ta bëjë për çdo qytetar shqiptar që ka një dënim të pa ekzekutuar.
Por për Agron Xhafajn, vëllain e tij, nuk është zbatuar.
Përkundrazi.
Policia e Shtetit nuk vepron. Policia e Shtetit është nën urdhrat dhe shërbimin e Familjes Xhafaj. Ajo është shndërruar nga Policia “Habilaj” në Policia “Xhafaj”.
2- Së dyti, Fatmir Xhafaj, nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, falsifikoi dokumentet zyrtare, dhe trafikoi në mënyrë të paligjshme në Kodin e Procedurës Penale një dispozitë ligjore:
(i) Për të pamundësuar ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit,
dhe
(ii) Për të pamundësuar njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge.
Fatmir Xhafa e bëri këtë në kundërshtim me Konventën Europiane të Ekstradimeve, fakt të cilin e pohoi edhe Ministri Italian i Drejtësisë, jo më larg se 6 muaj më parë.
3- Së treti, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia. Nga pozicioni i tij si Ministër I Brendshëm Fatmir Xhafaj pengon Ligjin Antimafia të veprojë ndaj Agron Xhafajt dhe Fatmir Xhafajt.
Policia e Shtetit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të zbatuar masa parandaluese ndaj Agron Xhafajt dhe rrethit të tij familjar, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, veprimtarive ekonomike apo tregtare, sic e kërkon Ligji Antimafia.
Kjo sepse aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm, automatikisht e bën subjekt të ligjit, vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Shqipëria është i vetmi vend në botë ku Ministri i Brendshëm, përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia.
Të tre këto prova tregojnë qartë sesi Fatmir Xhafaj është drejtpërdrejt i përfshirë nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm dhe më parë i Kryetarit të Komisionit të Ligjeve për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge”, tha Bardhi.
(BalkanWeb)