TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar pas qëndrimit të ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila gjatë taikimit të sotëm me partitë e vogla në Shqipëri, është shprehur se PD nuk pranoi propozimet e negociatorëve dhe se nuk paraqiti kundërpropozime apo ofertë tjetër.

Reagimi i PD ka qenë i menjëhershëm pasi aleatët opozitarë e kanë informuar mbi qëndrimin e ambasadores Vlahutin.

Teksa pretendon se “ky është një shtrembërim total i të vërtetës, dhe fshehje e fakteve, PD në një reagim për mediat, ka sqaruar qëndrimin e kësaj force politike ndaj propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik.

SQARIMI I PD
Pas paraqitjes të propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik, Partia Demokratike në emër të Opozitës së Bashkuar paraqiti një kundër-propozim me 3 pika, me qëllim arritjen e një kompromisi mes palëve:

1. Ofertën që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale.

2. Përsa i përket datës së zgjedhjeve, oferta e PD ishte që të eksplorohej nëse zgjedhjet me votim elektronik, biometrik dhe numërimi elektronik do të mund të realizoheshin brenda tetorit. Nëse kjo do të rezultonte teknikisht e pamundur, të punohej për identifikimin biometrik të votuesve dhe numërimin elektronik të votës.

3. Partia Demokratike rikonfirmoi qendrimin e bërë publik prej 10 javësh se menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi.

Pas paraqitjes së kësaj oferte për kompromis, Partia Demokratike u informua se Edi Rama e refuzoi këtë ofertë, duke cuar në përfundimin pa sukses të përpjekjes për ndërmjetësim.

Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb