TIRANE– Pas mbledhjes së kryesisë, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka përshëndetur marrëveshjen mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për t’i dhënë fund krizës politike. Përmes një deklarate për mediat, PDIU shpreh mirënjohje për kontributin e SHBA-së dhe BE-së, ndërsa thotë se heqja e mundësisë për koalicione nuk e bën votën të barabartë për çdo shqiptar e për çdo parti politike.

Deklaratë e Kryesisë së PDIU-së pas mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme:

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet marrëveshjen mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, që i mundëson shqiptarëve të votojnë më 25 qershor dhe të kenë mundësi të zgjedhin me votë të gjithë spektrin e partive politike. PDIU i është mirënjohëse mbështetjes e përpjekjeve të panumërta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizës së radhës.
PDIU ka bërë çdo përpjekje për të kontribuuar në zgjidhjen e krizës, duke propozuar Paktin Kombëtar, tryezën e partive parlamentare te Presidenti dhe çdo tryezë tjetër. Ne kemi mbështetur çdo propozim, qoftë paketën “McAlister”, qoftë “McAlister+” që kishte mbështetjen e zëvendësndihmësekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee. Duke vlerësuar marrëveshjen PD-PS, “Big Mac”, do të vlerësonim e mbetet për t’u parë që zgjedhjet e 25 qershorit të kenë standarde më të mëdha në transparencë më të madhe për financimin e partive politike, pjesëmarrjen e partive politike në procesin e administrimit të zgjedhjeve, numërimit sipas Kodit Zgjedhor, meqënëse votimi e numërimi elektronik nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Heqja e mundësive për koalicione me marrëveshje të dy partive, mundësi që është sanksionuar në Kodin Zgjedhor si e drejtë e të gjitha partive politike, jep mundësitë për të garuar të vetme. Mirëpo, kjo mundësi nuk shoqërohet nga një sistem propocional kombëtar, që do të bënte të barabartë votën për çdo shqiptar e për çdo parti politike. PDIU fton të gjithë shqiptarët të marrin pjesë masivisht në votime e me votën e tyre të vendosin kush do t’i qeverisë në katër vitet e ardhshme dhe të garantojnë pluralizmin politik në Shqipëri, në mënyrë që të ndahemi njëherë e mirë nga tranzicioni i tejzgjatur 27 vjeçar.
PDIU është e vendosur për të hyrë në zgjedhje me bindjen që kauzat e saj janë të cilitdo shqiptari që mendon si ne: Kemi Veç Një Atdhe!

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: