Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

“Pedalo për në punë”, Veliaj: Investim për korsi biçikletash. Brenda mandatit të parë, autobusë elektrike

NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Në biçikletë, i shoqëruar edhe nga ambasadorja holandeze në Shqipëri, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj nxit qytetarët të alternojnë transportin duke shmangur automjetet. Në marshimin sensibilizues, në kuadër të ditës ndërkombëtare “Pedalo për në punë”, së bashku me shoqatën “Together for life”, Veliaj ka theksuar se numri i atyre që përdorin biçikletën është trefishuar, krahasuar me dy vite më parë, duke ulur ndotjen e ajrit. Duke parë këtë trend, kryetari i bashkisë, ka dhënë dhe lajmin e mirë për investimet që po kryhen në këtë drejtim.

“Bashkia e Tiranës sapo ka filluar projektin e investimeve për korsi të dedikuara, por edhe të mbrojtura, për t’u siguruar që eksperienca e transportit me biçikletë dhe ata që zgjedhin këtë alternativë të kenë garanci për një udhëtim të sigurtë”, tha kryebashkiaku.

Veliaj ka bërë të ditur se më 10 qershor do të hapet sheshi “Skënderbej” që do të jetë hapësira më e madhe pedonale.

“Falë eksperimenteve të ditëve pa makina me fëmijët arritëm në një koncept të sheshit “Skënderbej” që do të jetë hapësira më e madhe pedonale. Nga 10 qershori fëmijët mund të vinë ta mësojnë aty biçikletën”, u shpreh ai.

Përveç parkingjeve nëntokësore, Tirana do të jetë qyteti i parë në Shqipëri që do të ketë edhe karikues elektrikë.

“Në dy parkingjet e reja, parkingu në sheshin “Skënderbej” dhe parkingu nën Bulevardin e Ri, do të kemi për herë të parë karikues elektrikë për ata që kanë makina elektrike dhe karikimi do të jetë falas. Sigurisht, këtë e bëjmë për të promovuar ata që konsiderojnë të blejnë makinën e tyre në të ardhmen, që të përdorin një makinë elektrike. Duam të kalojmë direkt te makinat elektrike si një mënyrë për të promovuar një transport të pastër dhe miqësor ndaj mjedisit”, tha Veliaj.

Brenda mandatit të tij të parë në krye të Tiranës, Veliaj ka premtuar edhe futjen e autobusëve elektrikë me zero ndotje për qytetin.

(BalkanWeb)



Komente ( 6 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.