MALIQ- Zëvendëskryeministri Niko Peleshi i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topciu dhe deputeti i Qarkut Korce, Ilir Pëndavinji, ndoqi nga afër punimet e rrugës që lidhin fshatrat Orman – Rrëmbec – Rov-Tërove dhe Kuc i Zi. Kjo rrugë kalon mes për mes fushës së Korçës, fushës bujqësore të dytë më të madhe në vend dhe përveç sistemimit dhe asfaltimit të gjithë gjatësisë së saj do të rehabilitohen edhe kanalet rreth saj si dhe do të pajiset me trotuar dhe ndriçim në të gjitha zonat e banuara ku kalon.

Ky projekt është një nga investimet e Bashkisë Maliq për vitin 2017 dhe i shërben një popullate prej rreth 8000 banorësh. Përveç lehtësimit në lëvizje, kjo rruge pritet të jetë një vlerë të shtuar për lidhjen e një tregu të madh bujqësor me qendrat e tjera urbane. Në fjalën e tij Peleshi tha se investimi vjen falw reformës territoriale administrative.

“Jam sot në Rembec, por në fakt jam duke vizituar të gjithë fshatrat që kap një investim i Bashkisë me mbështetjen e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit të Zhvillimit te Rajoneve. Ka qenë një projekt i shumëkërkuar, një rrugë e shumëkërkuar për vite e vite me radhe për banorët e fshatrave të Kucit të Zi, Rovit, Tërovës, Rëmbecit, Ormanit. Më në fund jam shumë i kënaqur që mundëm ta bëjmë realitet, jemi në mes të punës, për pak muaj, 2 -3 muaj kjo rrugë përfundon. Është një investim që nuk duhet parë thjesht si një përmirësim i infrastrukturës, por dua ta theksoj edhe njëherë që ky investim vjen në radhë të parë si frut i reformës territoriale administrative. Kur kemi folur për reformën nuk kanë qenë slogane, ka qenë realisht një vizion, i cili sot po funksionon. Sot kemi Bashki, më të mëdha, më të forta, të afta dhe me kapacitetet për të hartuar projektet e duhura. Natyrisht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve janë dy instrumenta që ne i përdorim për të mbështetur projektet e Bashkive të reja. Kjo rrugë siç e thashë nuk është thjesht një rrugë që e ben thjesht më komode jetën e banorëve të këtyre fshatrave, janë rreth 8000 banorë që preken nga kjo rrugë. Kjo është një rrugë që u shërben në radhe të parë ekonomive të tyre lokale, janë rreth 2000 ha tokë, rreth e rrotull kësaj rruge, rreth e rrotull këtyre fshatrave që punohen çdo metër katror, pra nuk lihen djerr. Është tokë e mirë, është cilësore, prodhimet e tyre shpesh herë kanë patur problem të shiten, edhe për shkak të konektivitetit, pra të mungesës së një rruge të përshtatshme. Nuk është investimi i vetëm në fushë, bashkia me mbështetjen e Qeverisë ka investuar shumë fort për kanalet ujitëse, kulluese, në gjendjen që ato janë sot nuk kanë qenë prej 25 vitesh”- tha Peleshi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: