Më 24 korrik të këtij viti Bujar Nishani dorëzon karrigen e Presidentit në të cilën pas seancës së betimit, do të ulet Ilir Meta. Kreu i shtetit ishte i ftuar në emisionin “Komiteti” të gazetarit Berat Buzhala, ku ndër të tjera rrëfeu edhe pengun që i ka mbetur në 5 vite të drejtimit të Presidencës.

Nishani thotë se së fundi ka gjetur kohën të zhvillojë takime të shumta me qytetarët anembanë Shqipërisë, dhe pikërisht këtu ka zbuluar edhe pengun e tij. “Duhej të kisha pasur kontakte më të shpeshta me qytetarët, jo vetëm punë në zyrë”, tha Nishani i cili në këndvështrimin e tij do të mbahet mend si një njeri që punon.

Por ku do ta gjejmë Presidentin pas lënies së mandatit?

“Pushime me familjen”, shprehet kreu i shtetit i cili thotë se dëshiron të kalojë disa ditë të qeta me familjarët e tij, raporton Express. Një ‘modë’ e ndjekur edhe nga çifti ish-presidencial Obama.

Karriera e Nishanit jashtë Presidencës?

Bota e tij është politika, dhe aty thotë se do të gjejë sërish veten. Edhe pse ende nuk ka asgjë të qartë për pozicionimin e tij konkret në politikë, presidenti në detyrë nuk përjashton mundësinë që ‘familja’ e tij të jetë Partia Demokratike. Aty ku ka nisur karrierën e tij. “Partia Demokratike përfaqëson parimet e mia, por ende nuk kam përcaktuar se cili do të jetë pozicioni im”, shprehet Nishani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: