Partizani sot nis javën e dytë përgatitore për turin e parë paraelimintaor të Ligës së Europës. Zyrtarisht skuadra është përforcuar me dy lojtarë, mbrojtësin Blerim Kotobelli dhe mesfushorin Gerhard Progni. Sulmi mbetet reparti më i boshatisur, pasi klubi ende nuk i ka plotësuar boshllëqet që kanë lënë largimet e Kaleb Ekubanit, Agustin Torasës dhe Marko Cetkoviçit.

Përforcimi i repartit ofensiv është konsideruar si ekskluzivitet i këshilltarit të presidentit Demi, Luçiano Moxhi. Ish-drejtori juventin, kohë më parë, ka deklaruar se nuk duhet ta qajnë largimin e Kaleb Ekubanit, pasi sulmues si italo-ganezi gjente plot, por synon të afronte ndonjë element më cilësor. Drejtuesit e Partizanit po mundohen që lëvizjet e tyre në merkato të mos merren vesh dhe afrimet të publikohen vetëm kur të jetë gjetur akordi mes palëve.

Tregu italian mbetet pista ku është fokusuar strategu i merkatos së “demave”, Luçiano Moxhi. Mësohet se aktualisht të kuqtë po bëjnë “pazar” te skuadra e Katanzaros, që militon në Lega Pro. Milan Basrak shikohet si alternativë e mundshme për Partizanin e sezonit të ri. Bisedimet me lojtarin kanë nisur prej kohësh dhe gjasat janë që sot të gjendet akordi që sulmuesi me origjinë serbe, por i lindur në Zvicër, të vishet i kuq.
milan-basrak-470x560

Milan Basrak e ka nisur karrierën në Serbi, ku ka luajtur me skuadra të nivelit të ulët, më pas është aktivizuar në Bosnjë me ekipin Radnik Bijeljina. Ndërsa në sezonin e fundit Basrak ka qenë pjesë skuadrës italiane, Katanzaro, ku në 24 takime ka shënuar 4 gola. 22-vjeçari serb me pasaportë zvicerane shikohet si sulmues i parë, alternativë e cila i mungon Partizanit që nga largimi i Stevan Raçiçit.
milan-basrak1

Ditë më parë, në radhët e të kuqve u testuan dy sulmues, Luis Kaçorri dhe Sandro Ugrina, por ata nuk arritën që të bindnin stafin. Ndërsa rasti i Milan Basrak është ndryshe, pasi nëse gjendet akordi sulmuesi do të nënshkruajë direkt. 22-vjeçari pritet të jetë përforcimi i parë në sulm te Partizani i epokës “Moxhi”./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: